Kurti: Do të merremi vesh me LDK për bashkëqeverisje, ose zgjedhje të reja

0

Kryetari dhe kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se nuk ka mundësi të një koalicioni paszgjedhor pa LDK-në. Sipas tij, po të mos arrihet marrëveshja me LDK-në, duhet të shkohet në zgjedhje, ndonëse thotë se PAN-i di të bëjë manovra të ndryshme duke provuar të bëjë diçka me LDK-në, por se, sipas tij, kjo do të ishte “dhuna më e madhe e vullnetit të popullit”. “Jo, nuk ekziston opsion tjetër. Nuk mund të zëvendësojmë LDK-në tash me PAN-in. Unë do të filloj bisedimet me LDK-në, të bazohemi në rezultatin zgjedhor e të merremi vesh përfundimisht. Sepse po të mos merremi vesh, do të shkojmë në zgjedhje prapë. Marrja e mandatit nga ne do të ishte dhuna më e madhe e vullnetit të popullit. Në kampin e PAN-it kanë fantazi të dhunshme duke tentuar të bëjnë diçka me LDK-në”, u shpreh Kurti në intervistën me Agron Bajramin. Kurti foli edhe kontaktet me LDK-në, duke thënë se ka kontaktuar dje kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe me kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, por ka saktësuar se takimi i pritet të zhvillohet të enjten. “Është për ta përshëndetur faktin e daljes masive në zgjedhjet për ndryshim duke e votuar opozitën, por duke i prirë këtij ndryshimi Vetëvendosje. Dje kam kontaktuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe me kandidaten për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmanin. Kam kërkuar nga ta të takohemi ose sot ose ditëve në vijim, dhe tash, sipas të gjitha gjasave, do të takohemi të enjten që të mos humbim kohë që të fillojmë bisedimet për koalicion”, deklaroi Kurti./Koha.net