Kurti e Vuçiq të mbyllur, Rashiq i sigurt se po shkojmë drejt një konference ndërkombëtare, siç propozoi Rama vjet

INA
INA

21/02/2024

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq beson se është e pashmangshme mbajtja e një konference ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Idenë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare “diku në një vend të izoluar” ku do të negociohej me prezencën e diplomatëve të fuqive të mëdha për “3-4-5 ditë”, Rashiq tha se e ka promovuar edhe vetë dhe se një gjë e tillë “mund të arrihet”.

Ministri mbrëmë foli për zhgënjjimin në rritje dhe durimin e vogël që tha se e ka vënë re te diplomatët me Kosovën dhe Serbinë, lidhur me zbatimet e pjesshme të marrëveshjeve e me akuzat e ndërsjella.

“Unë konsideroj që një gjë e tillë do të ndodhë. Sepse nëse vazhdojmë kështu me diplomaci, kjo mund të zgjatet shumë dhe pasi që e kemi përmend edhe deklaratën dhe letrën e Macronit, ne e dimë të gjithë që ata diplomatë e humbin durimin me Kosovën dhe Serbinë tërë kohën duke negociuar, me zbatime të pjesshme ose me akuza ndaj njëri-tjetrit, kështu që fatkeqësisht është reale që mund të ketë një konferencë të tillë e cila mund të përmbyllej me një marrëveshje”, tha Rashiq në Tëvë1.

Ai tha se ka pasur disa herë “dreka ose darka zyrtare me shumë diplomatë”, dhe se i ka dëgjuar ata të kenë shqetësime për moszbatimin e marrëveshjeve.

“Te ne nuk ka marrëveshje finale… Edhe pas nënshkrimit, prapë e ke procesin për zbatimin. Dhe ne, me tempon që e kemi tash, nëse edhe nënshkruhet diçka, kjo nuk ka implementim edhe 20 vjet”, tha Rashiq.

Edi Rama e kishte propozuar vjet këtë ide

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte shpalosur idenë e një konference ndërkombëtare në qershor të vitit të kaluar.

“Të dy liderët të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë normalizimi, pa të drejtë daljeje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti”, shprehej Rama.

Këtë ide e përsëriti edhe në shtator të vitit të kaluar, ku thoshte se “formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në nivelin e një konference të normalizimit me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në kuadër të bisedimeve të pandërprera”.

“Sot është e qartë për të gjithë që minimalisht, formati i sotëm i Brukselit ku venë dy burra nga këtej dhe hynë e dalin dy burra atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë”, deklaronte Rama.

Niveli i përfaqësimit euroatlantik në dialog “duhet të ngrihet shpejt”, thoshte ai, pasi këtë “e kërkon situata”.

“Niveli i përfaqësimit euroatlantik në dialog duhet të ngrihet shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e të gjitha marrëveshjeve, vonesa e këtij hapi mund të sjellë edhe një stok viktimash”.

Këshilli Europian e mbështeti

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, e mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë vetëm pak ditë pasi Rama e shpalosi atë.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, pati thënë Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.

“Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit”, shoshte ai.

Idenë atij ia kishte prezantuar personalisht Rama, në një takim me zyrtarë europianë në Bruksel në fund të qershorit 2023.

Çka thoshte Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte shprehur pro idesë së Ramës që në një konferencë ndërkombëtare të zgjidheshin problemet me Serbinë.

Në korrik të vitit të kaluar, Kurti pati thënë se zgjidhja është zbatimi i marrëveshjes bazike të arritur në shkurt dhe mars 2023.

“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash e kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit”, thoshte ai.

Siç shprehej Kurti, nevojitej vetëm “zbatimi fer”.

“Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, shprehej Kurti.

Marrëveshja bazike mbeti pa u zbatuar, megjithëse Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës prisnin vërtetë përparim vitin e kaluar.

BE-ja i ftoi disa herë në Bruksel Kurtin dhe Vuçiqin, por pa ndonjë rezultat. Puna sërish ngeci te hapat për zbatimin e marrëveshjes.

Perëndimi ende e konsideron historike marrëveshjen e finalizuar në Ohër vitin e kaluar dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, element thelbësor në të. Por asgjë prej saj ende nuk u zbatua në praktikë.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

azilkerkues-1

Të rinjtë të zhgënjyer me programet e kandidatëve për president

flamuri izraelit qeveria

Vetëm një shtetas i Maqedonisë ka kërkuar evakuim nga Izraeli

arben taravari

Taravari, Osmanit: Mos u bën haxhi pishman për “Ballkanin e Hapur”

aksident gjermani kamion

Aksident i rëndë në Gjermani, shoferi i kamionit nga Maqedonia

BE bruksel EU Bashkimi Evropian Unioni

BE do të ndajë rreth 750 milionë euro për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ballkanin Perëndimor

pompa-benzines-derivatet-naftes

Publikohen çmimet e reja të derivateve të naftës në Maqedoni

burgu

Arrestohen 17 pjesëtarë të Policisë së Burgjeve në Maqedoninë e Veriut

derivate nafta dizeli benzin

A do të rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni pas ngjarjeve në Lindjen e Mesme?

Keshilli-i-Sigurimit-OKB

Guterres drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së: As rajoni dhe as bota s’mund të përballojnë një luftë tjetër

INFO

NA NDIQ