Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje por siç tha ai kanë bashkëpunim të gjerë.
Duke folur në mbledhjen e përbashkët në mes të dy qeverive që po mbahet në Prishtinë, Kurti tha se Kosova me Maqedoninë e Veriut ka jo vetëm partneritet përmes tregtisë por edhe “lidhjeve familjare e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë.
“Më lejoni të filloj këtë takim duke theksuar një pikë të rëndësishme, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinjë, miq dhe partnerë, të lidhur, jo vetëm përmes tregtisë që është çdo herë në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha Kurti.
Ai shtoi se takimi i sotëm ka edhe rëndësi simbolike për shkak të 15 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve.
Ai tha se deri tani janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume që “na kanë ofruar edhe më shumë me njeri tjetrin”./KosovaPress