Kurti me dinjitet për shqiptarët në Maqedoni, Haradinaj vizita private, Mustafës as që i interesonin!

Nga Bekim Qoku

Ç’është e drejta, ne nuk jemi mësuar me një përfaqësim kaq serioz dhe dinjitoz të shteti të ri të Kosovës. Prandaj na është dukur krejtësisht normale, kur Ramushi bashkë me Anitën, megjithëse kryeministër vendi në detyrë, vinin në shtëpinë e Zaevit për një gotë verë apo takonin Musa Xhaferin për ndonjë biznes ose vinin apostafat për një party për ditëlindje.

Një tjetër kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, nga ana tjetër, nuk është dëgjuar kurrë të mbajë ndonjë qëndrim jo e jo për shqiptarët e Maqedonisë, çfarëdo që u ka ndodhur atyre, por as për shtetin si të tillë. Për Mustafën, Maqedonia nuk ka ekzistuar në agjendën dhe sferën e politikbërjes së tij. Kurse hija e tij, Hoti, krejtësisht përvjedhurazi erdhi për një vizitë të stisur zyrtare në MV, e përgatitur nga lobit e ndryshëm për ta legjitimuar atë që nuk legjitimohej. Rrallë kush e mori vesh vizitën e tij. Madje edhe mediat kryesore e pasqyruan shkurt e hiç. Të vetmen pikë që e patën ishte një marrëveshje për 5G, që natyrisht ishte farsë, sa për të thënë diçka.

Vizita më e bujshme ka qenë ajo e presidentit Thaçi, bashkë me kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Ata të dy, në atë ndejë patriotike rrahën fort gjoksin dhe na garantuan atëbotë se do të jenë gardianët e shqiptarëve të Maqedonisë dhe nuk do të lejojnë të na ndodhe asgjë.

Prej asaj garance, atij premtimi prej malësori, prej asaj ekstaze nacionaliste, shqiptarët e këtushëm kanë përjetuar Lagjen e Trimave, 27 prillin, Shkupin 2014, rastin Almiri e shumë e shumë raste të tjera të montuara, burgosje, vrasje e gjëma të tjera.

Albin Kurti, pa shumë fjalë të nxehta, pa folklor dhe popullizëm, fare pa epikë, erdhi me qeverinë e tij dhe nënshkroi plot 11 marrëveshje. Kjo thjesht nuk është normale për ne.