Kurti tregon dy temat kryesore që sot do të diskutohen në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur për takimin që sot do të zhvilloj me presidentin serb Aleksandar Vuciq. Ai dje po ashtu është prononcuar edhe për takimet e ndara në Bruksel me dy ndërmjetësit e SHBA-ve dhe BE-së për dialogun.

Kurti ka theksuar se janë dy tema të rëndësishme që do të diskutohen sot në Bruksel.

“Janë dy tema të rëndësishme. E para është elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë në mes të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me njohje reciproke, dhe tjetra është çështjet aktuale, ku natyrisht pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilateral me të gjitha vështirësitë që janë shfaqur kohëve të fundit”, theksoi kryeministri Kurti.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, theksoi pas takimit se Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë bisedime produktive të enjten në Bruksel. Ai shtoi se pritjet janë që të arrihet një marrëveshje e cila e ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, po ashtu që parandalon dhunën.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ka deklaruar pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se kanë folur për takimin e nesërm të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. “Takova si gjithmonë të dy partnerët për të folur për pritjet. Dua të sigurohem që të kemi diskutime për marrëdhëniet për të ardhmen dhe normalizimin”, ka thënë Lajçak për Kanal10. Ai shtoi se pret që të dy palët të jenë të dedikuara për marrëveshje për të shmangur krizën.

Kurti gjatë ditës së djeshme është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. (INA)