Kurti: Vota për Shaip Kamberin është detyrë patriotike

Sot do të mbahet zgjedhjet e përsëritura në Tërnoc.

Më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e një vendi në Parlamentin e Serbisë, pasi gjykata administrative në Beograd ka refuzuar ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës duke e lënë në fuqi vendimin e Komisionit Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në njësinë numër 6 në Tërnoc.

Për këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar që sot të votohet Shaip Kamberi.

“Tërnoci voton, shqiptarët fitojnë, Të dashur vëllezër e motra, Të dashur shqiptarë, bashkëkombas të Luginës, Tërnocit. Tashmë e kemi parë që Serbia, figurat dhe mekanizmat politik të saj, kanë bërë gjithçka që t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend. Andaj punën e parë në agjendën tuaj ditore, bëni daljen dhe votimin në Qendrën e Votimit nr. 6 në Tërnoc. Është e domosdoshme, deri në mesditë, shqiptarët e Luginës, Tërnocit, t’i japin mesazh dhe mësim atyre që ushqejnë mosdurim ndaj faktorit shqiptar, duke i goditur përpjekjet e atyre që provuan ta ndalin zërin shqip në Beograd. Goditja fillon me votën e parë në hapje të vendvotimeve, duke arritur numrin e votave të nevojshme për Shaipin dhe përkrahjen për të”, ka shrkaur Kurti në “Facebook”.

Sipas tij, Vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote.

“Shaipi është flamurtar në parlament e jashtë tij, për të treguar të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë dhe për t’u angazhuar kundër shtypjes së vazhdueshme nga pushteti i regjimit autokratik në Serbi. Andaj, u bëj thirrje, më 27 maj, të përbashkoheni të gjithë ju më të drejtë vote në Tërnoc duke votuar z.Shaip Kamberin si zë i fuqishëm shqip e shqiptar, njerëzor e qytetar. Tërnoci voton! Shqiptarët fitojnë”, ka thënë Kurti.