Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ende e kërkon ndarjen e Kosovës dhe se për këtë është në kërkim të një makine për udhëtim në kohë, që të kthehet në vitin 1997 apo në vitin 2007.
Këto deklarata, Kurti i ka dhënë duke folur me gazetarin e The Economist, Tim Judah, i cili kishte raportuar nga lufta e fundit në Kosovë.
… është në kërkim të një makine për udhëtim në kohë… nganjëherë ai dëshiron që të kthehet në vitin 1999 e nganjëherë në vitin 2007 (para shpalljes së pavarësisë së Kosovës)”, ka thënë Kurti.
“Por, e kuptoni… ky tren ka ikur. S’mund të kthehemi më atje”, ka vazhduar Kurti gjatë bisedës me Judah.
Judah ka shkruar se shumë diplomatë e shohin një kokfortësi te Kurti dhe kanë përshtypjen se ai ka humbur një pjesë të mbështetjes nga Perëndimi, por sipas tij, politika e tij e lojës së ashpër me Vuçiqin po sjell rezultate për Kosovën.
“Vuçiq është në disavantazh dhe është detyruar të lëshojë pe në disa çështje gjatë muajve të fundit. Më 15 dhjetor, Kurti aplikoi për anëtarësim në BE dhe i ka siguruar një premtim Kosovës se nga viti 2024, qytetarëve të Kosovës nuk do t’u kërkohen viza Schengen”, ka shkruar Judah.
Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Judah, është e vështirë edhe për shkaqe personale, në kuptimin e raporteve mes liderëve. Ai ka kujtuar një sekuence të shkurtër gjatë intervistimit të ish-prijësit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi.
“Para disa viteve, e intervistova Hashim Thaçin, i cili ishte udhëheqës i guerilës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në kohën që Vuçiq ishte ministër i qeverisë së Millosheviqit. Kur përfundoi intervista, ai më pyeti: A do ta takosh Aleksandrin? U stepa, por pastaj e kuptova që po fliste për Vuçiqin”, rrëfen Judah.
Judah, duke bërë një krahasim, thotë se tani nuk ka më qasje të tillë, ku liderët tregojnë afërsi duke iu referuar njëri-tjetrin me emër. Sipas tij, kjo gjë mund të jetë pengesë që Kosova e Serbia ta arrijnë një marrëveshje së shpejti.
“Vuçiq dhe Kurti e përçmojnë njëri-tjetrin. Kur Vuçiq ishte ministër (i Millosheviqit), Kurti ishte i burgosur politik në një burg serb. Më 1 dhjetor, Vuçiq publikisht e quajti Kurtin ‘llum terrorist’. Mungesa e raporteve personale, e bënë shumë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”, ka vazhduar gazetari.