Kurz: Austria mbështet çdo marrëveshje Kosovë-Serbi, përfshirë edhe korrigjimin e kufirit

0

Kancelari austriak, njëherësh lideri i Partisë Popullore, Sebastian Kurz, ka thënë se Vjena zyrtare do të mbështesë çfarëdo marrëveshje që arrihet midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë këtu edhe korrigjimin e mundshëm të kufirit. “Qëndrimi ynë është i qartë: ne mbështesim gjithçka që palët bien dakord, si dhe korrigjimin e mundshëm të kufirit, nëse kjo përfundimisht çon në një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do të sillte më shumë stabilitet. Qëllimi duhet të jetë që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me marrëveshje në dialog”, ka thënë Kurznë Vjenë, në një intervistë për agjencinë serbe Tanjug. Duke theksuar rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe kthimin e të dyja palëve në tryezën e bisedimeve, Kurz theksoi se nga zgjidhja e kësaj çështjeje varet edhe procesi i integrimeve evropiane. “Është e nevojshme një dinamikë e re, sepse zgjidhja në kuadër të dialogut është parakusht për një anëtarësim të mëvonshëm në BE”, tha Kurz. I pyetur nëse BE-ja ka fuqi për të zgjidhur çështjen e Kosovës, si dhe ‘nëse ajo ka ndikim në Prishtinën, e cila injoroi thirrjet nga Brukseli për të hequr taksën për mallrat nga Serbia’, kancelari austriak tha se BE-ja ka mundësi të ndryshme të veprimit. “BE e bën këtë gjatë gjithë kohës, por në fund të fundit, gjithçka varet nga Beogradi dhe Prishtina, të cilat kanë nevojë për ‘një dëshirë të mjaftueshme politike për të bërë kompromis’”, tha ai. Ai ka përshëndetur emërimin e Matthew Palmer si të dërguar special të SHBA për Ballkan, sepse, sipas tij, ‘SHBA-ja dhe BE-ja vetëm bashkarisht mund të vijnë te një arritje politike në Ballkan’. “Shpresoj që Palmer të jetë në gjendje të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje. Jam i bindur se BE do të punojë ngushtë me të”, tha Kurz. Kancelari austriak porositi se angazhohet për një perspektivë të qartë të qasjes për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, natyrisht me përmbushjen e kritereve të reformave.