Drejtori aktual i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike (TIDZ) dhe anëtar shumëvjeçar i LSDM-së, Jovan Despotovski është një nga kandidatëte për ministër të ri të mbrojtjes në Qeverinë e re të udhëhequr Kovaçevski.
Kjo bëhet e ditur nga burime partiake për disa portale maqedonase, përcjell INA. Në dikasterin e mbrojtjes u paralajmëruan ndryshime, pasi që ministrja e deritanishme Radmilla Sheqerinska bëri të ditur se largohet nga detyra, përcjell INA.
Siç thuhet nga burime partiake, kryeministri i mandatuar është i vendosur të vendosë në këtë pozicion një kuadër, i cili do të jetë në gjendje t’u përgjigjet sfidave të rëndësishme në këtë sektor.
Cila do të jetë zgjedhja përfundimtare e Kovaçevskit për pozitat në kabinetin qeveritar ende nuk dihet dhe përbërja nuk është zbuluar as për partitë e vogla të koalicionit. Kovaçevski ka bërë të ditur se është duke përgatitur surpriza në kabinet.
Despotovski ishte kundërshtar i Kovaçevskit për pozitën udhëheqëse në LSDM së bashku me ish-funksionaren e partisë Frosina Remenski. (INA)