Kush e zhvillon trafikun e armëve në Shqipëri, kufijtë nga hyjnë dhe dalin

0

Trafiku i armëve është një fenomen ende prezent që në një strategji të fundit 5 vjeçare që synon kontrollin mbi armët i është kushtuar një hapësirë më vete. Të dhënat e bëra publike nga Ministria e Brendshme brenda Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019–2024 dhe të Planit të Veprimit 2019–2021 tregojnë se ky trafik kryesisht bëhet në mënyrë tokësore nga personat 16-45 vjeç ndërkohë që sasia që kalohet është e limituar.

“Në përgjithësi nga raste e konstatuara, trafikantët e armëve të zjarrit përdorin kufirin tokësor të gjelbër duke i fshehur në automjete, autobusë, kamionë, vetura ose i transportojnë në trup duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Nga rastet e hetuara është konstatuar se trafikimi i armëve të zjarrit bëhet në sasi të vogla, nga 1–2 copë. Grup-moshat e evidentuara janë kryesisht të seksit mashkull dhe variojnë nga mosha 16–45 vjeç” thuhet në dokument.

Nga ana tjetër i njëjti jep detaje se cilët janë kufijtë ku kalon ky trafik duke specifikuar llojin e armatimit si dhe flukset nga hyjnë apo dalin si dhe origjinën e tyre.

“Nga analizimi i situatës operative si dhe nga rastet e konstatuara armët e zjarrit në territorin e Shqipërisë futen nga kufiri: Maqedoni-Shqipëri, Kosovë-Shqipëri dhe Mali i Zi–Shqipëri. Në këtë pjesë të kufirit trafikohen armë zjarri të prodhuara në vendet e Evropës (pistoleta), si dhe armë zjarri, lëndë plasëse që vijnë nga territori i Malit të Zi, kurse nga territori i Kosovës dhe Maqedonisë trafikohen kryesisht pistoletat e konvertuara. Ndërsa nga territori i Shqipërisë, nëpërmjet kufirit Shqipëri-Greqi dhe Shqipëri– Itali, trafikohen pistoleta dhe automatikë që janë rrëmbyer nga depot ushtarake në vitin 1997 në Shqipëri” pohohet në strategji.

Gjithsesi dokumenti nënvizon se nga analiza që ju është bërë veprave penale të kësaj kategorie vihet re një rënie vit pas viti.