Kush është i vetmi që i shpëtoi masakrës në Selenicë, ndodhej në shtëpi kur nisi breshëria

0

Momentet e para të përballjes së familjarëve me skenën e krimit kanë qenë të tmerrshme.
Shtatë kufoma në oborr e në shkallët e shtëpive dhe e teta në kuzhinë, pranë tavolinës së bukës. Aty është gjetur djali 8-vjeçar i Besim Zykajt, i cili ka qenë duke u ushqyer në momentin që është qëlluar me 3 plumba nga kushëriri i tij. Ritvan Zykaj nuk i ka kursyer plumbat as për të.

Pasi ka vrarë ata që ndodheshin jashtë e të tjerët që dilnin pasi dëgjonin krismat, 24-vjeçari është futur brenda duke qëlluar për vdekje edhe Ledjonin. Ai është gjetur i pajetë pranë tavolinës së bukës, me duart e mbledhura te koka, si për t’u mbrojtur.

Por pafajësia e tij nuk e ka penguar aspak Ritvanin ta qëllojë 3 herë, në bark, në krah e në këmbë. Ledjoni është gjetur nga kushëriri i tij, djali i xhaxhait. E më pas edhe nga një i afërm tjetër që kishte shkuar aty për ta takuar. Kushëriri i katërt i familjes Zykaj, shok i njërit prej të mbijetuarve, tregon sesi i kanë gjetur viktimat.

“Unë isha në gjumë kur ndodhi ngjarja. Kur u zgjova, nëna mëtha se kishte dëgjuar të shtëna në fshat, por nuk e dinte se nga ku. Dola sepse e kisha lënë të takohesha në Selenicë me djalin e Azemit. As ai nuk ka qenë në shtëpi në kohën që ka ndodhur ngjarja. Kur shkova te vendi që e kishim lënë të takoheshim, nuk e gjeta. Më thanë që kishte shkuar në shtëpi. U nisa edhe unë për atje”, tregon i afërmi i familjes Zykaj.

Më pas tregon sesi është përballur me skenën e tmerrshme dhe se askush nuk kishte shenja jete. Të gjithë u gjetën të vdekur.

“Kur kam shkuar aty, ishte e tmerrshme. Të gjithë ishin të vrarë. Nuk kishte mbijetuar askush, përveç djalit tjetër të Demir Zykajt, Krenarit, 51 vjeç. Ai është shurdhmemec dhe nuk ka dëgjuar krismat. Ka qenë në gjumë brenda në shtëpi, por ka shpëtuar. Të tjerët ishin vrarë të gjithë. Edhe Sara, edhe Ledjoni i vogël. Ledjonin e ka vrarë duke ngrënë bukë. Ishte një masakër e vërtetë”, tregon kushëriri.

Më tej, ai thotë se ka dëgjuar sirenat e Policisë, pasi i kishin lajmëruar para se të shkonte ai në shtëpi. Ndërsa me autorin thotë që për çështje sekondash nuk është përballur në rrugë me të.

“Në atë kohë që ka ndodhur vrasja, disa sekonda më vonë unë kam dalë nga shtëpia. Fatmirësisht, nuk e kam ndeshur në rrugë. Unë nuk e njihja, sepse kam jetuar jashtë, pak kohë ka që jam kthyer”, shprehet ai. /Panorama

Komentet

komentet