Kush është ministri i ri i mbrojtjes në Qeverinë Kurti 2, i ardhur nga Norvegjia

Armend Mehaj është i propozuari i Albin Kurtit për ministër të Mbrojtjes. Me profesion ushtarak, Mehaj ka lindur në Kosovë, për të shërbyer më pastaj në ushtrinë norvegjeze.

Ai ka lindur në vitin 1981 në Kosovë dhe aktualisht jeton në Oslo të Norvegjisë. Në nëntor të vitit 2012, Mehaj është dekoruar nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë me medaljen “Për shërbime të veçanta”.

Kapiten Armend Mehaj ka lindur në vitin 1981 në Kosovë dhe aktualisht jeton në Oslo, Norvegji. Në vitin 1999 i është bashkuar forcave të armatosura Norvegjeze, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore.

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se do të punojnë pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Ne do të reformojmë qasjen tonë jashtë vendit, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme janë bërë me Pakon e Ahtisarit, si çmim i paguar për shpalljen e pavarësisë. Asnjë kompromis nuk mund ta bëjmë dhe nuk do ta bëjmë. Kjo duhet të thuhet qartë dhe zëshëm nga të gjithë ne në secilin takim dhe tavolinë. Orientimi ynë është i qartë aleanca me SHBA-të dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet. Do të punojmë pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Ballkani Perëndimor duhet të demokratizohet përveçse të zhvillohet, që këto të dyja të shpejtohen do të insistojmë për një plan minimarshall nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Kurti. Ai ka theksuar se problemet me Serbinë do të zgjidhen vetëm përmes dialogut, ai ka thënë se prioritet në këtë dialog është zgjidhja e çështje së të pagjeturve.