Kush i transportoi votuesit nga Kosova dhe Bosnja në Serbi?

ina-online
ina-online

19/12/2023

Votues nga Kosova, të organizuar me autobusë, shkuan në qytetet kufitare të Serbisë për të votuar në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Autobusët që udhëtuan nga pjesa veriore e Kosovës – e banuar me shumicë serbe – për në Rashkë të Serbisë, i kishin kryesisht të mbuluar emrat e kompanive me shirita të bardhë.

Se kush qëndron pas organizimit të tyre, Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta përcaktojë.

Sipas të dhënave që siguroi REL-i, në zgjedhjet në Serbi votuan kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, si dhe pensionistë serbë.

Punonjësit në institucionet serbe u informuan një ditë më herët se ku dhe kur saktësisht do të votojnë.

Autobusët e parë u nisën rreth orës 6:00 të mëngjesit, ndërsa të tjerë vazhduan çdo gjysmë ore deri në një orë.

Kështu për shembull, në orën 7:00 të mëngjesit, një autobus me punonjës të autoritetit të përkohshëm të Prishtinës u nis nga Graçanica, i ndjekur nga një tjetër me punonjës të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, si dhe pensionistë.

Njëri prej autobusëve që u nis nga veriu i Kosovës drejt Rashkës, kishte targa të Kosovës dhe një numër telefoni.

Në telefonatën që bëri REL-i, personi që u përgjigj, mohoi se ka marrë pjesë në transportimin e votuesve në Serbi.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Graçanicë, afër Prishtinës. Përfaqësues të kompanisë “Arsa Prevoz”, në pronësi të Igor Arsiqit – autobusët e të cilit transportuan votues në qendra të votimit – nuk deshën të tregojnë se kush i ka angazhuar.

Edhe pse në disa pamje nga Mitrovica e Veriut dukeshin autobusë të kompanisë vendase “Joe Travel”, pronari i saj, Goran Antiq, tha se autobusi i tij vetëm ishte i parkuar në stacionin e autobusëve dhe se në të shkruhej qartë se endet në relacionin Mitrovicë e Veriut – Beograd.

Në autobusët që transportonin votues në Rashkë apo Tutin, shkruhej “udhëtim falas”.

Sipas informacioneve të REL-it, organet e përkohshme komunale, që funksionojnë në sistemin serb në Kosovë, u përfshinë në organizimin e transportit.

Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, Ivan Zaporozhac, nuk ishte i qasshëm në telefon dhe nuk iu përgjigj mesazhit që i dërgoi REL-i përmes aplikacionit Viber.

Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Leposaviq, Zoran Todiq, tha se ishte i zënë dhe “të telefononim më vonë”, por më vonë nuk ishte i qasshëm.

Novak Zhiviq, kryetar i autoritetit të përkohshëm të Prishtinës, pasi e dëgjoi pyetjen, e mbylli telefonin dhe nuk u përgjigj më.

Në krye të të ashtuquajturave autoritete të përkohshme në Kosovë janë zyrtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila u themelua me mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe të partisë që ai udhëhoqi deri vonë – Partisë Përparimtare Serbe.

Transportim i votuesve edhe nga Bosnje e Hercegovina

Automjete të kompanisë së një sipërmarrësi – i cili u ndalua në prag të zgjedhjeve në Nikshiq të Malit të Zi dy vjet më parë dhe të cilit i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi nga Bosnje dhe Hercegovina vitin e kaluar – u panë në vendin nga ku votuesit nga Bosnje dhe Hercegovina u transportuan për të votuar në zgjedhjet e së dielës në Serbi.

Së paku pesë automjete me shenjat e kompanisë për siguri “T&M Group Solutions” u panë në ditën e zgjedhjeve nga gazetarët e Radios Evropa e Lirë pranë “Shtark Arenës” në Beograd, që është hapësira më e madhe për koncerte dhe sporte në kryeqytetin e Serbisë. Gjatë asaj kohe, grupe burrash – pa shenja të sigurisë – pamundësuan hyrjen në sallë.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Serbi, bëhet fjalë për një kompani që ka drejtor dhe bashkëpronar ish-hendbollistin serb, Dane Shijan.

Se kush e financoi transportin e votuesve dhe sa votues nga Republika Sërpska e Bosnjës votuan në qendrat e votimit në Beograd, nuk dihet ende.

Kush është Dane Shijan?

Dane Shijan bashkë me hendbollistin Vlladimir Mandiq – djali i Momçillo Mandiqit, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e dikurshme të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i dënuar për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë – u arrestuan në Mal të Zi në prag të zgjedhjeve lokale në Nikshiq, në mars të vitit 2021.

Siç u shpjegua atëkohë, ata u arrestuan nën dyshimet për futjen e paligjshme të parave në Mal të Zi, për të ndihmuar koalicionin e mbledhur rreth Frontit Demokratik pro-rus (DF).

Më 14 tetor të vitit 2022, në pikën kufitare Metalka nga Bosnje dhe Hercegovina, policia e Malit të Zi u dorëzoi Vlladimir Mandiqit dhe Dane Shijanit një vendim për ndalimin e hyrjes, pasi u konstatua se “ka shqetësime për sigurinë kombëtare”.

Dane Shijan, i cili është bashkëpronar i kompanisë së sigurisë “T&M Group Solutions”, është një nga mbi dy mijë nënshkruesit e mbështetjes për Partinë Përparimtare Serbe. Sipas të dhënave të disponueshme në Facebook, ai e ka mbështetur këtë parti edhe në vitin 2019, në prag të një tubimi para Parlamentit serb.

Në një numër telefoni që në disa aplikacione në internet identifikohet si numri i Dane Shijanit, u lajmërua një burrë që i tha Radios Evropa e Lirë se është një nga pronarët e kompanisë.

Ai tha se nuk e dinte se çfarë po bënin automjetet e kompanisë “T&M Group Solutions” pranë “Shtark Arenës” gjatë ditës së zgjedhjeve në Serbi.

Pasi iu kërkua nga REL-i që të prezantohet, ai tha se është bashkëpronar dhe se quhet “Pera Petroviq”.

Në pyetjet që REL-i ia dërgoi përmes emailit Partisë Përparimtare Serbe – në lidhje me informacionet për transportin e votuesve – nuk pati përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Çfarë dihet për kompaninë “T&M Group Solutions”?

Kompania “T&M Group Solutions” është themeluar në fund të majit të vitit 2022 në Beograd. Nuk ka asnjë faqe interneti dhe asnjë numër telefoni në bazën e të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (APR).

Sipas të dhënave nga raporti financiar i kësaj agjencie, ajo kishte pesë punonjës gjatë vitit 2022.

Dane Shijan, sipas të dhënave të APR-së, është bërë pronar i kompanisë në mars të vitit 2023.

Një muaj më vonë, ai ua kaloi pronësinë kompanive “UNIQUENESS GROUP LIMITED” dhe “MISTRAL INTERNATIONAL-FZCO” nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa mbeti në detyrën e drejtorit.

Aktualisht, të dhënat e APR-së tregojnë se Shijan zotëron 40 për qind të kompanisë, ndërsa Mihajllo Popoviq – i panjohur – posedon 60 për qind.

Kush janë transportuesit e votuesve nga Bosnje dhe Hercegovina?

Përveç kompanisë në të cilën Shijan është bashkëpronar, në afërsi të “Shtark Arenës” u vërejtën edhe automjete transportuese me targa të Bosnje dhe Hercegovinës.

Bëhet fjalë për kompaninë “IN Turs” nga qyteti Rudo afër kufirit me Serbinë, si dhe “Kuna Tours” nga Foça, gjithashtu në lindje të Bosnje e Hercegovinës, siç tregojnë fotografitë dhe videot e gazetarëve të REL-i, ashtu si edhe videot nga rrjetet sociale.

“IN Turs” është kompani e regjistruar për transportin e udhëtarëve dhe mallrave që nga viti 2015. Pronar i kompanisë është Vlladimir Novakoviq, ndërsa drejtor është Marko Novakoviq.

Në nëntor të këtij viti, Marko Novakoviq u zgjodh kryetar i Komitetit Komunal të Partisë Fronti Popullor në Rudo.

Kryetare e kësaj partie është Jellena Triviq, e cila ishte deputete në Parlamentin e Republikës Sërpska.

REL-i dërgoi pyetje edhe te Partia Fronti Popullor – zyrtar i së cilës është Novakoviq – lidhur me informacionet për këto transporte, por nuk mori përgjigje.

Në një deklaratë për REL-in, Marko Novakoviq tha se autobusët e tij “i kanë çuar ndoshta qytetarët në Beograd për të votuar”.

“Kam qenë me një ekip”, tha Novakoviq në një deklaratë të shkurtër telefonike.

Kur u pyet nëse autobusët shkuan në arenën e Beogradit, Novakoviq tha se “shoferët e dinë këtë”.

Ai nuk deshi të tregojë se kush e ka angazhuar këtë kompani për transportin në Beograd, duke thënë se për këtë kanë kontaktuar me menaxherin.

Novakoviq tha se nuk e di se sa autobusë dhe votues ishin nga qyteti Rudo.

Distanca ndërmjet Rudos dhe Beogradit është 316 kilometra. Qyteti më i afërt në Serbi me Rudon është Priboji – vetëm njëzet kilometra larg.

Një tjetër kompani transportuese që u vu re gjatë ditës së zgjedhjeve te “Shtark Arena” në Beograd, ishte “Kuna Tours”.

Në faqen e saj zyrtare në Facebook, kjo kompani i postoi fotografitë e saj nga Beogradi.

“Kuna Tours S.P.” është në pronësi të Njegosh Kunaracit nga Foça. Një përfaqësues i saj u përgjigj në numrin e telefonit që gjendet në llogarinë e kompanisë në Facebook.

Në një deklaratë të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, ai tha se është duke vozitur, por konfirmoi se autobusët e kësaj kompanie kanë qenë të dielën në Beograd. Megjithatë, lidhja telefonike u ndërpre shpejt. Ai nuk iu përgjigj mesazheve me pyetjet se kush e ka angazhuar dhe kë ka transportuar.

Drejtori i “Shtark Arenës” nuk e di se për çfarë bëhet fjalë

“Shtark Arena” e Beogradit është një sallë në pronësi të qytetit të Beogradit.

Goran Gërboviq, drejtor i saj, tha gjatë ditës së zgjedhjeve se nuk e di se për çfarë bëhet fjalë.

“Kemi një turne basketbolli këtu, as nuk e di se për çfarë bëhet fjalë”, tha ai në një prononcim për të përjavshmen serbe “Vreme”.

Vlladimir Dimitrijeviq, kryetar i Komisionit Republikan Zgjedhor, tha se ngjarjet rreth arenës nuk janë të ndaluara me ligj.

“Ligji nuk i ndalon njerëzit të mblidhen, edhe nëse qëllimi i tyre ishte të votonin në një qendër votimi”, tha ai./REL

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

reuten

Reuten: Sanksionuam Kosovën, jo agresorin – duhen hapa ndaj Vuçiqit e Dodikut

David-Philips

Serbët le të shkojnë në Serbi, nëse duan të përdorin dinarin, thotë ish-zyrtari amerikan

nexhmedin spahiu

Spahiu publikon disertacionin e doktoraturës në matematikë, paralajmëron se do t’jua nxjerrë “notat e dobëta” disave

vjosa osmani ushtria fsk

Kërkohet shërbimi ushtarak në Kosovë pas kërcënimeve të Serbisë

Kurti

Kurti: “Lista Serbe” e lidhur me Vuçiqin dhe Putinin

Vjosa Osmani Erdogan

Osmani falënderon Erdoganin për mbështetjen ndaj Kosovës

Hovenier Kurti

Dialogu për dinarin, Hovenier vjen me një kërkesë për Qeverinë – ja kë kërkon në takime!

kfor

Eksperti amerikan zbulon planin e Vuçiqit – jep këtë parashikim? (FOTO)

nexhmedin spahiu

Parashikimet e Profesor Spahiut që i vërtetoi koha

INFO

NA NDIQ