Huazuar nga Evropa e Lirë
Shqiptarët nga disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë parë aktivë në luftimet e fundit në Siri, që çuan në rrëzimin e pushtetit të kamotshëm atje.
Luftëtarët besohet se janë grupuar në një njësit shqipfolës brenda koalicionit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe aleatë të saj, të cilët në fillim të dhjetorit, çuan në rrëzimin e pushtetit të presidentit Bashar al-Assad.
“Xhemati Alban” është emri me të cilin grupi i luftëtarëve shqiptarë e ka identifikuar veten në publik, veçanërisht në rrjete sociale.
Shqiptarët, megjithatë, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël në mesin e qindra luftëtarëve të huaj në radhët e grupit rebel që mori pushtetin. Vetë HTS-ja dhe grupet aleate, besohet të kenë rreth 10 mijë luftëtarë në total.
Ajo është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe më parë ka qenë e lidhur me Al-Kaidën. Me marrjen e pushtetit rishtazi, kjo aleancë është zotuar për tolerancë dhe gjithëpërfshirje, ndonëse ka shqetësime për lidhjet e tyre me grupe terroriste.
Kush është HTS-ja?
Hayat Tahrir al-Sham (HTS) është grup militant islamist, anëtarët e së cilit janë kryesisht salafistë, një sekt ultra-radikal i islamit sunit. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik.
Grupi u shfaq në skenë më 2012, një vit pas nisjes së luftës civile siriane. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.
I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.
Fronti Nusra u shndërrua në një nga grupet më vdekjeprurëse që luftojnë kundër Assadit dhe përdor taktika, sikurse bombardimet vetëvrasëse dhe pajisjet artizanale plasëse.
Grupi militant më pas ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar HTS-në.
Ky grup është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe grupet aleate.
Kush është Xhemati Alban dhe cila është rëndësia e tij në Siri?
Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë që vepron në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundërterrorizëm, në Hagë, thotë se ky grup ka qenë aktiv në Siri që prej vitit 2012, ndonëse jo zyrtarisht me këtë emër si Xhemati Alban, por komponentët e tij, personat që e kanë formuar këtë grup më vonë e kanë përdorur këtë si emër Xhemati Alban.
Sipas tij, Xhemati Alban është i përbërë prej dhjetëra personave, ka strukturë komanduese etnike shqiptare dhe bëhet fjalë për “një grup islamist xhihadist dhe të strukturuar i mirë”.
“Personat që janë anëtarë të këtij grupi, vijnë kryesisht nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut por edhe nga trevat e tjera shqiptare në Ballkan, dhe nga diaspora”, thotë ai.
“Udhëheqësi i grupit shqiptar atje, është një 48-vjeçar, nga Shkupi i cili njihet me emrin Abu Qatade al-Albani. Emri i vërtetë i tij është Abdul Jashari dhe ka pasur funksione të larta këshilluese me komandantin e HTS-së”, thotë Shtuni.
Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.
Grupi ka qenë mjaft aktiv në rrjetet sociale, veçanërisht në Telegram, duke publikuar progresin e betejave dhe madje video e foto të ushtarëve, kryesisht të maskuar.
Një video e verifikuar nga REL-i, e datës 30 nëntor, tregon një ushtar që flet shqip duke qëndruar në një kala në qytetin e vjetër të Aleppos, i dyti më i madhi në Siri.
Videoja u xhirua në ditën kur HTS-ja mori kontrollin e qytetit veriperëndimor.
Personi i paidentifikuar, në gjuhën shqipe flet për çlirimin e Aleppos, duke u lutur edhe për çlirime të tjera nga “shtypja e madhe”, teksa i referohet regjimit të Assadit.
I njëjti ushtar mban një shenjë dalluese të “Albanian Tactical”, i cili besohet të jetë një nëngrup i Xhematit Alban, i fokusuar në trajnime.
“Xhemati Alban është i ndarë në disa grupe të cilat janë të specializuara: njëri për minahedhje, tjetri është grup snajperistësh dhe pastaj kemi edhe këtë grupin trajnues i cili quhet Albanian Tactical”, thotë Shtuni.
Ai shton se grupi i shqiptarëve dhe udhëheqësia e tij kanë një rëndësi të veçantë në kuadër të HTS-së.
REL-i ka identifikuar disa grupe të Telegramit që variojnë nga qindra në mijëra ndjekës dhe që publikojnë aktivitetet e ushtarëve militantë në Siri.
Shumica e përmbajtjes së postimeve është në gjuhën shqipe, e po ashtu ka të shpërndara edhe disa video ku ushtarët flasin shqip dhe tregojnë pamje nga qytete të ndryshme të Sirisë, në veçanti pas aksioneve të fundit për rrëzimin e pushtetit atje.
Autoritetet e Kosovës nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë për numrin e luftëtarëve aktualë nga Kosova në Siri dhe as pjesëmarrjen e tyre në koalicionin HTS.
Mirëpo, të dhënat e mëparshme tregojnë se mbi 350 persona besohet të kenë shkuar në Siri që nga viti 2011, kryesisht për t’iu bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Kosova ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës në vitin 2015, derisa që nga viti 2019 u organizuan disa operacione riatdhesimi, me të cilat u rikthyen qindra persona.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se pas proceseve gjyqësore, rreth 42 të burgosur për pjesëmarrje në luftëra të huaja kanë kaluar nëpër institucionet e tij korrektuese. Aktualisht, në institucionet korrektuese ndodhen 7 prej tyre.
Më herët është thënë se rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut.
Deri në shpartallimin e Shtetit Islamik në fund të vitit 2017, shumica e kosovarëve në Siri jetonin në territoret që kontrolloheshin nga ky grup.
Lavdrim Muhaxheri, militant i Shtetit Islamik, i cili u deklarua se është vrarë, njihej si udhëheqës i shqiptarëve në formacionet terroriste të Shtetit Islamik.
“Ishte vetëvrasje”, ish- luftëtarët nga Ballkani rrëfejnë përjetimet në Siri
Edhe nga vendet e tjera të rajonit, shqiptarë etnikë u dyndën në Siri për t’iu bashkuar grupit ekstremist të Shtetit Islamik (IS) dhe Frontit Nusra, dega siriane e Al-Kaidës.
Mes tyre ishte një shqiptar etnik nga Maqedonia e Veriut, i cili luftoi në Siri për katër vjet deri në vitin 2020 dhe më pas u kthye në Evropë.
“Isha i ri, u mashtruam nga video në internet”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti për arsye sigurie.
“Pastaj ramë në kontakte me disa nga Turqia, dhe u nisëm (për në Siri). Ishte vetëvrasje. Mezi arritëm të ikim nga aty”, shtoi burri, i cili nuk zbuloi grupin të cilit ai iu bashkua.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, aktualisht në fushat e betejës në Siri dhe Irak po marrin pjesë gjithsej 4 shtetas maqedonas.
Përveç luftëtarëve aktivë shqiptarë, në Siri gjenden edhe pjesëtarë të familjeve të tyre.
Mes tyre është Eva Dumani nga Shqipëria, e cila ishte 8 vjeç kur babai i saj, Shkëlzeni, e mori në Siri në vitin 2013 dhe iu bashkua Shteti Islamik.
Babai i saj, ndonëse ndiqet ligjërisht në Shqipëri, besohet të jetë vrarë në Siri.
Vendndodhja e Evës, tani 21 vjeç, nuk dihet, megjithëse jetimët dhe të vejat e militantëve të IS-it shpesh mbahen në kampe nga grupet rivale.
Në luftime në Siri kanë marrë pjesë edhe shtetasit e Bosnjës.
Shumë evropianë që iu bashkuan grupeve të armatosura në Siri u radikalizuan në internet ose u joshën nga rekrutuesit vendas. Të tjerët ishin të motivuar nga besimet fetare dhe ideja e xhihadit, ose luftës së shenjtë. Disa u tërhoqën nga paratë e ofruara nga grupet militante./REL