Kush po e dëshiron ndarjen e Kosovës, përveҫ Serbisë?

Kohët e fundit janë publikuar disa non-paper që tregonin se është synuar ndarja e Kosovës disa herë. Tre “Non-Papers“ janë publikuar deri më tani, që propozojnë një ndarje të plotë të Kosovës nga Serbia. Së fundmi, është publikuar edhe një “non-paper” i ri që përfshin në total 16 pika, dhe i cili e parasheh Kosovën si pjesë të Serbisë.

Mirëpo, cilat janë shtetet që e duan ndarjen e shtetit të Kosovës, përveҫ Serbisë?

Kështu, analisti politik dhe publicisti Idriz Zeqiraj, thotë për Bota Sot se bazuar në Kushtetutën e Serbisë, Kosovën e konsideron pjesë integrale të shtetit serb, por, kjo ëndërr tashmë ka perënduar dhe nuk ka kthim prapa.

“Realisht, qëllimi i Serbisë është sigurimi i Autonomisë, për Veriun e Mitrovicës, rrjedhimisht, për serbët lokal të Kosovës, si edhe eksterritorin, për kisha e shumta serbe në Kosovë, përfshi këtu edhe të disa syresh, të ndërtuara pas suprimimit të Autonomisë të Kosovës, të vitit 1974! Në përgjithësi, për pjesën më të madhe të kishave, Serbia ka marrë edhe aprovimin e Qendra të Vendosjes ndërkombëtare, për të cilat Hashim Thaçi ka nënshkruar. Dhe, Gjykata Kushtetuese dhe Parlamenti i Kosovës i kanë ratifikuar! Pra, lufta është për Autonominë. Për ta imponuar atë, Serbia, duke përfituar nga dy nënshkrimet, përkatësisht, Thaçi më 2013 dhe Mustafa 2015, për Asociacionin, që e bënë Serbinë hisedare të sundimit të Kosovës”, ka thënë Zeqiraj.

Zeqiraj: Ndarjen e Kosovës, Serbinë e mbështesin aleatët e saj të shumtë

Sipas tij, për ndarjen e Kosovës, Serbinë e mbështesin aleatët e saj të shumtë, por, një ndihmë jo të pakët i ka dhënë Hashim Thaçi, qoftë në cilësinë e kryeministrit, qoftë në cilësinë e presidentit.

“Për më tepër, ka lobuar, duke paguar edhe lobimin. Ky lobim depërtoi deri në administratën e presidentit Donald Trump. Pas letrës historike, gati protestë, peticion, që i dërguan atij, një grup intelektualësh, akademikë dhe personalitete e zyrtarë amerikanë, për presionin e padrejtë, që i bëhet Kosovës, për dialogun Kosovë-Serbi, presidenti Trump e denoncoi dhe shkarkoi zyrtarin e lartë John Bolton, me akuzën se punonte, fshehurazi, për ndarjen e Kosovës. Por, ai nuk ishte i vetëm. Për çudë, nëpërmjet të mbrojtjes të Hashimit, nga Gjykata Speciale e Hagës, edhe Lobe, Shoqata, Klube, personalitete shqiptare u përfshinë, në mënyrë indirekte, në realizimin e projektit të Thaçit, ndoshta, jo të vetëdijshëm se po realizonin të keqen e madhe për Kosovën, me elemente të bollshme të tradhtisë”, ka theksuar Zeqiraj për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se zhurmimet e brendshme të disa partive e partizave, nën sloganin e bashkimit me Shqipërinë, bashkimin kombëtar, ende pa u konsolidua Kosova-shtet, ishin hiç më pak se sa logjistikë e Serbisë për ndarjen e Kosovës.

“Fillimisht, Kurti e bëri normë agjituese bashkimin me Shqipërinë. Por, fatmirësisht, e kuptoi se në kushtet aktuale, kjo tezë i shërbente Serbisë dhe miqve të saj ndërkombëtarë, duke alarmuar krijimin e Shqipërisë së Madhe. Klinakët me LKÇK e tyre, separate e LPK-së, me tezën e bashkimit kombëtar; Valon Murati me “Lëvizjen për Bashkim”, ishin dhe mbetën infrastrukturë serbe për ndarje të Kosovës. Njerëz publik si Skënder Hyseni, Lutfi Haziri, Blerim Shala, me analistë e banalistë të tjerë, hapur mbronin idenë, se “për të marrë njohjen e Serbisë, duhet dhënë diçka asaj. “Xhevahire” të tilla i dëgjonte dhe i donte Serbia dhe miqtë e saj. Dhe dërgonin mesazhin se pala kosovare është e gatshme edhe “për kompromise të dhimbshme”, pra ndarjen e Kosovës, veçse duhet shtuar doza e presionit nga Serbia dhe ndërkombëtarët”. Dhe, këtë janë duke e bërë aktualisht”, ka deklaruar Idriz Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Serbia dhe Rusia janë katalizatorët e kësaj ideje, nga e cila synojnë të përfitojnë me faktorizimin e Serbisë në rajon

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti thotë se të gjithë ato shtete që përfitojnë nga ndarja e Kosovës, natyrisht se janë pro kësaj ideje. “Përveҫ Serbisë ndarjen e Kosovës e dëshiron edhe Rusia, pastaj Bosnja, Greqia, mbase edhe Maqedonia, e cila megjithatë besoj se frikësohet nga precendeti i shqiptarëve atje. Gjithsesi, Serbia dhe Rusia janë promotorë të kësaj ideje, dhe me njerëz me ndikim të ndryshëm në struktura të ndryshme udhëheqëse në shtete të ndryshme. Andaj është e vështirë të flitet me shtete, por me individë të shteteve, pa harruar asnjëherë se Serbia dhe Rusia janë katalaizatorët e kësaj ideje, nga e cila synojnë të përfitojnë me faktorizimin e Serbisë në rajon”, ka vlerësuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Për Kosovën është me rëndësi të gjejmë zgjidhje funksionale

Kurse, njohësi i ҫështjeve politike, Leon Duhanaj thotë se ҫështja e kufijve ballkanik është tejet e komplikuar dhe është tejet e vështirë t’i gjendet zgjidhje nga e cila të gjitha palët do të dilnin të kënaqura. “Posaçërisht çështja e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht çështja shqiptare në përgjithësi është temë e cila do të marrë kohë dhe mund deri sa të ndodhë ndonjë zgjidhje e pranueshme. Përveç problemeve ndëretnike në regjion, janë edhe interesat e fuqive të ndryshme të cilat po ashtu e rëndojnë dhe komplikojnë çështjen”, është shprehur Duhanaj.

Tutje, ai thotë se në radhë të parë janë interesat ruse në koordinim me ato të Serbisë, mirëpo, sipas tij, për Kosovën është me rëndësi të gjejmë zgjidhje funksionale.

“Janë në radhë të parë interesat ruse të cilat janë në koordinim me ato serbe. Përpos tyre ka edhe shtete të tjera të cilat tradicionalisht janë aleat të Serbisë, siç mund të jetë Franca dhe ndonjë shtet tjetër por që ndikimi i tyre është me i vogël. Për ne si shtet, është me rëndësi të gjejmë zgjidhje funksionale. Çdo zgjidhje e cila e le problemin të hapur, nuk i shërben interesit të Kosovës”, ka deklaruar analisti Duhanaj për gazetën “Bota sot”.