Kush po u bën atentat shqiptarëve të Maqedonisë Veriore

0

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Maqedoninë Veriore pas dështimit për hapje të negociatave me BE-në është një lajm tjetër që e ka shqetësuar opinionin publik. Pasi tani na dalin shumë ekuacione me të panjohura politike për qytetarin shqiptar, i cili, i lodhur nga premtimet është para dilemave të mëdha nga ofertat që i ofrohen.

T’ia nisim nga e para, sulmi mediatik, diplomatik, politik i partive shqiptare në pushtet është tredimensional, që ta hutojnë elektoratin shqiptar, që ta ngatërrojnë se kush është pozitë e opozitë dhe e treta, ta ruajnë këtë fizionomi politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, në raport me shtetin maqedonas. Një qarkore e Akademisë së Shkencave Maqedonase që ka qarkulluar në mënyrë të padukshme, tek e cila mes tjerash thuhet se u kanë dhënë sugjerime të qarta dy liderëve maqedonas: Zaev e Mickovski, që me çdo kusht këto parti shqiptare që i kanë në qeverisje, t’i ruajnë si sytë e ballit, sepse nëpërmjet tyre ruhet edhe doktrina maqedonase dhe se këto parti shqiptare janë gardian të doktrinës maqedonase. Për mua ky është edhe një sinjal se pse shqiptarët në Maqedoni Veriore lipset të ndryshojnë kastën politike dhe në të të vijnë politikanë, të cilët kanë me vete doktrinë dhe program se ku duhet të jenë shqiptarët në raport me shtetin dhe pushtetin maqedonas. Pasi nga këto turbulenca politike ku në pushtet mbeten parti shqiptare që s’kanë program dhe që promovojnë se do të realizojnë projekte si: zyrtarizimi i gjuhës shqipe 15 vjet, ndarje reale të pushtetit me kastat maqedonase. E që në esencë u pa se nuk ishin në gjendje 15 km rrugë nga Shkupi deri në Elez Han t’i realizojnë, të hapin shkolla shqipe atje ku duhet, të formësojnë institucione kulturore e arsimore, të imponojnë politika konkrete për shqiptarët kudo ku jetojnë, t’i sistemojnë në aparatin shtetëror shqiptarët, flet qartë për kapjen e këtyre partive politike shqiptare nga ana e shtetit maqedonas. Vetë fakti se nga 12 raste dhe diku 200 të akuzuar, asnjë nuk është pas grilave flet se për çfarë shteti kemi të bëjmë, ndërsa plot shqiptarë të pafajshëm dergjen burgjeve me burgim të përjetshëm.

Por më e keqja për shqiptarët e Maqedonisë Veriore nuk përfundon këtu, pasi me tri veprimet e atentatit politik ndaj shqiptarëve aksi lindje-lindje është vënë në veprim me tri lloje agjenturash, të cilat kanë për synim zhbërjen politike të shqiptarëve këtu. Kjo është një politikë e orkestruar, që fatkeqësisht nuk e kupton Perëndimi, apo po luan me lojtarët, të cilët u shërbejnë politikave lindore, perëndimi. Apo po na japin sinjale se ne nuk jemi faktor dhe se duan lidership i cili është komplet i dëgjueshëm dhe nuk kërkon asgjë, as edhe një gotë ujë, e lerë më diçka tjetër me rëndësi kapitale për shqiptarët. Nëse aksit lindje-lindje ia shtojmë edhe dhimbjen që shqiptarëve të Maqedonisë Veriore, ia shkaktojnë konjukturat politike në Tiranë dhe Prishtinë me veprimet institucionale, duke i dhënë mbështetje kësaj kaste politike, atëherë shqiptarët në Maqedoni të Veriut duhet të shqetësohen për fatin e tyre, pasi këto sulme janë të papërballueshme dhe çorientuese dhe e zhbëjnë shqiptarin këtu politikisht dhe në të gjitha aspektet.

Por, shqiptarët në Maqedoni të Veriut duhet me shumë kujdes të punojnë për t’i amortizuar këto veprime nga jashtë, që e dëmtojnë qenien politike, kulturore, arsimore, njerëzore, kombëtare të shqiptarit. Dhe kjo duhet bërë një orë e më parë, pasi shqiptarët këtu janë të rrezikuar në mënyrë të orkestruar për t’u defaktorizuar e asimiluar, por edhe të rrezikuar nga faktori politik shqiptar në pushtet, i cili verbërisht u shërben elitave maqedonase. Fatkeqësisht shenja të tilla kanë filluar të shfaqen edhe te partitë shqiptare, që nuk janë në pushtet dhe që do të duhej të vendosnin murin që ta prishin lojën e këtij atentati politik, që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.