Kushtetuta e imponuar e vitit 1991
Shkruan: prof.Qani ALIU, politolog
(Reagim me rastin e botimit të librit të ri të autorit prof. Lubomir Fërçkovski: “Shënime për konstutionalizimin maqedonas”)
Prof.dr. Lubomir Fërçkovski, në paraqitjet e tija publike shpeshherë përdor arrogancë nënçmuese ndaj bashkëbiseduesve duke imponuar çdoherë tezat e veta. Edhe në këtë rast në një mënyrë lavdëron rolin e tij kyç për përpilimin e kushtetutës së RM-se (Republikës së Maqedonisë së Veriut), të vitit 1991, kushtetutë kjo e cila mundësoi realizimin e aspiratave politike të kombit maqedonas në periudhën post-komuniste. Kështu edhe në këtë libër, si zakonisht, tregon në vetën e parë gjetjen e zgjidhjeve dhe akrobacioneve juridike në situatë të acaruara deri në aprovimin final të kësaj kushtetute.
Habit fakti se si ka mundur grupi punues për përpilimin e kushtetutës të ketë punuar në fshehtësi dhe larg syve të opinionit.
Gjatë analizimit të këtij teksti shumë lehtë vërehen manipulimet juridike dhe politike, që janë përdorur për shtytjen e tekstit në të gjitha fazat e shqyrtimit, deri në arritjen e qëllimit final të interesit ekskluziv të një komuniteti.
Puna e Grupit të Punës
Grupi punues në fillim ka ofruar një verzion të kushtetutës në përbërjen e të cilit thuhet: “kushtetuta e re do te jetë me karakter liberal-demokratik”, përkatesisht kushtetutë qytetare. Kjo më vonë konstatohet se ishte një mashtrim dhe manipulim për dy arsye:
1. Që para faktorit evropian të paraqiten si demokrat të vërtetë që do të nxjerrin një kushtetutë qytetare të traditës perëndimore.
2. Që të krijohet bindje te popullata shqiptare, e cila numerikisht ishte e dyta më e madhe, se kushtetuta e re s’do të privilegjojë asnjë komb në RM, madje as kombin maqedonas.
Ky qëndrim dhe deklarim, u mbajtë deri në fazën e fillimit të diskutimeve në parlament. Kur deputetët e proviniencës së djathtë-VMRO, dhe asaj të majtë, ish-komunistët me këmbëngulje fanatike kërkuan kushtetutë nacionale.
Natyrisht nga këto veprime mund të nxirret një përfumdim lehtësisht logjik, se këto ishin lojra politike paraprakisht të përgatitura nga të gjitha institucione e larta shtetërore dhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë: Gligorov-Klusev-Andov (presidenti i atëhershëm, kryeministri dhe kryeparlamentari).
Këtë në një mënyrë e pranon edhe vet autori Fërçkovski, duke thënë se kanë pasur “bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Gligorovin dhe Klusevin, si dhe lavderon “punën e palodhshme” të kryetari të Kuvendit Stojan Andovit, në Kuvend.
Preambula
Me rrjedhën e diskutimeve për çështjen e kushtetutës së re popullata shqiptare dhe deputetët e saj në parlament nuk ishin pajtuar asesi, sepse, kategorikisht pala maqedonase ishte e prerë në idenë që kushtetuta e re të jetë me karakter njënacional. Kjo papajtueshmëri në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, rrezikonte destabilizimin e vendit i cili edhe ashtu ishte me një paqe të brishtë, duke pasur parasysh luftërat në ish-Jugosllavinë e atëhereshme si dhe kulminacionin e nacionalizmit serbomadh në krye me Milosheviqin. Duke i pasur parasysh këto rrethana ofrohet dhe aprovohet verzion i preambulës me futjen e “Memories kombëtare” në të. Ky formulim nuk ishte aspak i favorshëm për shqiptarët. Me këtë formulim kjo kushtetutë në esencën e saj u qëndisë me ngjyrë njënacionale maqedonase, ku qytetarët e Maqedonisë u ndanë në “pardonë” dhe “qiraxhinjë”, ndonëse deklarativisht dhe dinakërisht Fërçkovski e mohon këtë.
Raporti me shqiptarët
Sipas Fërçkovskit formuluesit e kushtetutës në mnyrë permanente u kujdesën për pozitën e shqiptarëve në kushtetutë, si etni e dytë më e madhe në republikë. Sipas tij, dy aspekte janë me rëndësi të veçantë:
1. Implementimi i standardeve të të drejtave të pakicave në korpusin e të drejtave të njeriut.
2. Krijimi i një shoqërie multikulturore, e cila reflektohet në institucionet e sistemit politik (balancë-institucionale) dhe të drejtave individuale dhe grupore, në sferën e të drejtave kulturore.
Pra, pozita e shqiptarëve është betonizuar si pakicë kombëtare dhe për t’i ikur stigmatizimit të tyre, është përdorur një neologjizëm politik “bashkësi etnike”.
Përdorimi i gjuhës
Sa i përket përdorimit të gjuhës së bashkësive jomaqedonase dhe barazisë gjuhësore, Fërçkovski thotë: Kjo barazi është e paraparë me nenin 7 të amandamentit 5, ku është paraparë e drejta e përdorimit të pjesërishëm të gjuhës të pjesëtarëve të bashkesive etnike që janë më së paku 20%, në përbërjen e popullatës dhe është garantuar inkluziviteti. Por, në nivel shtetëror si gjuhë që fitoi rolin integrues në të gjithë territorin e vendit, në marrëdhënien derkombetare dhe në administratë, mbetet vetëm gjuha maqedone dhe alfabeti qirilik. Kjo na tregon situatën dhe pozitën faktike në kushtetutën aktuale.
Kapaciteti i Kushtetutës
Prof. Fërçkovski i thurri lëvdata të shumta kushtetutës së vitit 1991, duke thënë se kjo kushtetutë pati kapacitet absorbues në kuptimin e tejkalimit të krizave politike që u paraqitën pas aprovimit të saj e deri me tani. Si ilustrim paraqet konfliktin e vitit 2001, ku kjo kushtetutë pa ndryshime të mëdha tejkaloi këtë krizë. Pra, kjo kushtetutë ka hapësirë që të drejtat e shqiptarëve të jenë të dozuara, sipas nevojes në situata të ndryshme kur rrezikohet ekzistenca e shtetit maqedonas.
Pse kushtetuta e vitit 1991 është e imponuar?
Është e tillë për shumë arsye:
1. U përpilua në fshehtësi
2. Për shkak të konceptit
3. Populli shqiptar gati 100% refuzoi pjesëmarrjen në referendumin për pavarësi, më 8 shtator 1991
4. Të gjithë deputetët shqiptarë refuzuan ta votojnë këtë kushtetutë më 17 nëntor 1991
Deri më tani kjo kushtetutë nuk ka sjellë stabilitet të brendshëm përkundrazi ka qenë shkaktare permanente e krizave dhe me të drejtë është quajtur “kushtetutë e imponuar”.
https://www.facebook.com/lajmtvonline/videos/600794592546412/?ref=embed_video