Me brohorima e duartrokitje, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, u mirëprit nga mbështetësit e tij në Kumanovë.
Ky tubim u paralajmërua si takim mirënjohje, e pas tubimit, Taravari mblodhi kuvendarët e partisë, të cilët nënshkruan dekaratë të quajtur “mocion për ndryshimin e sigurt”. Ky mocion parasheh që kreu i partisë Taravari, të formojë një koalicion shqiptar fitues, me siç shkruhet, figura të pakorruptuara, të dërgojë BDI-në në opozitë, dhe të mos lidhet koalicion me forcat anti-perëndimore. Këtë mocion mbrëmë, siç u kumtua nga krahu Taravari, e nënshkruan 75 kuvendarë, ndërsa siç njoftoi zëdhënësi, edhe dhjetë të tjerë e kanë nënshkruar më herët, duke e çuar në 85 numrin e përgjithshëm të kuvendarëve që mbështesin Taravarin.
“75 ishin prezent sot. Mocioni është realizuar tre ditë më parë. Nga gjithsej 140 anëtarë, 85 anëtarë janë nënshkruar në mocion.”- deklaroi Blerant Ramadani, zëdhënës-ASH (KRAHU I TARAVARIT)
Kreu i partisë Arben Taravari, të pranishmëve u premtoi se më 8 maj do të festojnë fitoren.
“Sot është 8 shkurti, 8 maji, janë 90,91 ditë. Do të festojmë. Zullumi do të shkojë patjetër, ska qare..- tha
E sa i përket mosmarrëveshjeve mes tyre dhe krahut të Selës, Taravari thotë se dyert janë të hapura për të gjithë ata që pendohen. Shprehet se nuk ka qëllim të hakmeret për shkarkimet e drejtorëve.
“Dyert janë të hapura. Nëqoftëse janë bërë pishman, përsëri hajdeni me ne, sepse ky tren çon në fitore që do të ndodhë më 8 maj. Pavarësisht dallimeve tona, mua dikush më tha ti je kryetar partie, mund t’i ndërrosh nënkryetarët. Thash jo nuk i ndrroj, asnjëherë nuk i ndërroj, ani pse mendojnë ndryshe. Mund t’i ndrojsh sekretarët, thash jo, pse t’i ndërroj. Ata mendojnë ndryshe dhe kjo është shumë legjitime. Por disa drejtorë dhe disa ministra që mendonin si unë, nisën menjëherë iniciativa t’i ndryshojnë. Pse be i ndryshoni? Këto janë njerëz tonë be…”- tha Arben Taravari – kryetar i ASH.
Taravari thotë se ende nuk ka një marrëveshje finale me opozitën shqiptare dhe për vendimin final do të ulet edhe një herë të bisedojë me kryesinë qendrore.
E sot kryetari i Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela, këtë tubim e quajti gjest joserioz. Thotë se këto veprime i ngjasojnë fraksioneve.
“Këto lloj formash të tipit të bëjmë një tubim, nga tubimi të bëj Kuvend e nga Kuvendi të bëjmë mbledhje të kryesisë qendrore. Janë gjeste jo serioze që në fund të ditës mirë është që i nxjerin fytyrat e vërteta të atyre që realisht janë puçistë në parti. Mendoj që nuk ka ndodhur në historinë e sistemit shumëpartiak në Maqedoni që ai që është në krye të partisë të bëjë hapa të cilat i ngjasojnë ndonjë fraksioni. Është e çuditshme që kryetari i partisë po shndërrohet në fraksion.”- pohoi Ziadin Sela – Kryetar i Kuvendit Qendror ASH.
I pyetur nëse në mbledhjen e nesërme të Kuvendit është ftuar edhe kreu i partisë Taravari, Sela tha se i ka dërguar ftesë dhe si anëtar i Kuvendit Qendror vendin e ka aty. Mirëpo siç njoftoi deputeti i kësaj partie Halil Snopçe, ata nuk do të marin pjesë nesër në Kuvendin e nesërm, me arsyetim se Taravari vetëm se u paraqit para kuvendarëve mbrëmë në Kumanovë.