Kuvendi sot në kuadër të seancës së 66-të e përfundoi debatin e përgjithshëm për Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për cilësinë e produkteve bujqësore, në procedurë të shkurtuar. Votimi do të vijojë në mënyrë plotësuese.
Më herët Zdravko Trajanov nga VMRO-DPMNE-ja në fjalimin e tij tha se me ndryshimet e ligjit, pullat e miellit do të shkojnë në histori.
“Me ndryshimet ligjore nuk do të ketë pulla në miell me çka liberalizohet importi i miellit. Ky vendim vjen si detyrim nga marrëveshja e CEFTA-s dhe në moment të parë duket si liberalizim, por politika e bujqësisë dhe ushqimit është e lidhur ngushtë me interesat dhe mbijetesën e një vendi. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm kur ndodhin ndryshime të tilla në treg”, tha Trajanov.
Theksoi se gjatë krizës së kovidit dhe krizës energjetike u tregua se çdo vend mbronte fillimisht tregjet e tij të brendshme gjë që nuk ishte rast te ne. Ai tha se prodhimi i ushqimit në vend duhet të mbahet në kondicion.
“Politika e re e subvencionimit është katastrofike për bujqësinë dhe drithërat dhe me të do të shkatërrojmë prodhimin e drithit. Në fillim do ta vërshojmë tregun vendor me miell që është në dispozicion dhe më i lirë, por në krizën e ardhshme do të tregohet se prodhimi vendor është shkatërruar”, tha Trajanov.
Në replikën e tij, Nenad Kociq nga LSDM-ja tha se VMRO-DPMNE vazhdimisht shpërndan dezinformata dhe gënjeshtra për çdo politikë të Qeverisë, përfshirë edhe atë në bujqësi dhe shtoi se ndryshimet që bëhen janë në interes të fermerëve.