Kuvendi i Kosovës sot voton qeverinë Hoti

0

Më pak se një javë, prej kur Gjykata Kushtetuese ka bërë publik vendimin lidhur me mandatarin për formim të qeverisë së re, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të mërkurën në orën 11:00 të nisë seancën për të votuar një përbërje të re ekzekutive, në krye me Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 28 maj, është thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me të drejtë ka mandatuar Hotin për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Për pjesëtarët e LVV-së, vendimi i Gjykatës ka qenë skandaloz.

Kjo parti nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë pjesë e seancës ditën e mërkurë, ani pse shefi i Grupit Parlamentar të kësaj Lëvizjeje, Rexhep Selimi, ka thënë të martën për media se partia të cilës ai i takon, do të kundërshtojë, atë që e ka cilësuar si “rrëmbimin e fitores së Vetëvendosjes”.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Haki Rugova është shprehur i bindur se sot në Kuvendin e Kosovës do të votohet Qeveria Hoti.

Rugova në një prononcim për Telegrafin ka thënë se i kanë numrat për formimin e Qeverisë.

“Unë e di që janë numrat, e di që do të mbahet seanca dhe e di që do të zgjidhet qeveria. Këto janë informacionet që i kam unë, dhe jam i bindur që sot do të formohet Qeveria”, ka thënë Rugova.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se deputetët e PDK-së nuk do ta përkrahin Qeverinë Hoti.

Hamza një ditë më parë ka thënë se deklaratat e PDK-së kanë qenë të qarta dhe nuk kanë ndryshuar as tani.

“Deklaratat e Partisë Demokratike të Kosovës kanë qenë të qarta gjithmonë, kanë qenë konsistente. Ne prej fillimit e kemi deklaruar rolin tonë që do të jemi në opozitë edhe e kemi deklaruar që nuk do ta përkrahim Qeverinë e cila do të votohet”, tha Hamza për Telegrafin.