Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbrëmë para mesnate miratoi ndryshimet në ligjet e TVSH-së dhe të akcizës, që janë pjesë e masave antikrizë pas ngritjes së çmimeve si pasojë nga lufta në Ukrainë.
Kuvendi me 95 vota “pro” dhe pa asnjë “kundër” dhe “abstenim” fillimisht miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, dhe me 96 vota “pro” dhe gjithashtu pa asnjë “kundër” miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akciza, pëcjell INA.
Me ndryshimet e miratuara, produktet ushqimore bazë, si buka, mielli, qumështi, mishi, vaji, sheqeri, orizi dhe vezët, për të cilat deri më tani ishte pesë për qind TVSH, tashmë do të shiten pa TVSH.
Ulet TVSH-ja nga 18% në 10% për shitjen e energjisë, hiqet TVSH-ja për importin e energjisë dhe ulet akciza e karburanteve sipas çmimeve të bursës.
Ministri i Financave Fatmir Besimi theksoi se dy projektligjet janë pjesë e pakos qeveritare prej 26 masash, të cilat duhet të ndihmojnë ekonominë e prekur nga kriza energjetike dhe tronditja e çmimeve në tregjet botërore.
Paketa kap vlerën e 400 milionë eurove. Ajo duhet të hyjë në fuqi nga fillimi i javës tjetër.(INA)