Kuvendi miraton rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

0

Kuvendi i Kosovës ka miratuar propozim rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.

Me 79 vota për, asnjë votë kundër është miratuar kjo rezolutë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se plaga më e madhe e luftës është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit, të cilin shteti serb e ushtroi mbi popullin e Kosovës gjatë luftës.

“Mbi 1 milion shqiptarë u detyruan të bëheshin refugjatë, ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre, 1230 fëmijë, përfshirë foshnje. Mijëra gra u dhunuan. Kjo ishte arsyeja pse bota demokratike mori vendim të ndërhynte për ta ndalur pikërisht këtë gjenocid. Përfundimi i luftës gjeti Kosovën me fatin e pazgjidhur të jo më pak se 6.057 personave”, ka thënë ai.

Veseli ka pohuar se për gjitha këto krime dihen me emra dhe mbiemra kryesit e tyre.

“Dihet kush ishin kryetarët e komunave. Dihet kush ishin komandantët e njësive policore dhe ushtarake. Dihen njësitë ekzekutuese. Dihen vendet. Madje, dihen edhe orët e sakta të krimeve. Ka dëshmi të bollshme. Ka fakte, dokumente, dëshmitarë. Te gjithë ata presin të flasin, mos të heshtet. Ata presin të dëgjohen. Të mos harrohen. Ata presin të veprohet për t’i vënë para drejtësisë vrasësit e familjarëve të tyre, vrasësit e fëmijëve të tyre. Çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo lagje, çdo fshat, çdo qytet, e di dhe do të flasë! Sepse, të gjithë dhe gjithçka në Kosovë ishte target i gjenocidit serb, vetëm pse ishim shqiptarë”, është shprehur Veseli.

Kryetari i Kuvendit ka pohuar se deri në fundin e vitit 2017, drejtësia ndërkombëtare ishte e vetmja përgjegjëse për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë. “Kosova i ka besuar thellësisht drejtësisë ndërkombëtare, në gjithë këto vite. Kemi besuar se krimet gjenocidale të kryera nga Serbia në Kosovë do të marrin përgjigjen e domosdoshme nga mekanizmat e kësaj drejtësie. Por, ne sot ndjehemi thellësisht të zhgënjyer, kur konstatojmë se kjo nuk ka ndodhur”. Veseli ka thënë se është në nderin e Kuvendit të Kosovës që tash të merret vendimi që drejtësia për këto krime të ndodhë.