Kuvendi votoi ndryshimet Ligjore për arsimin fillor dhe të mesëm

0

Me 61 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe 28 “abstenime”, Kuvendi miratoi Ligjin për ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor dhe me 61 vota “pro”, një “kundër” dhe 25 “abstenime” miratoi Ligjin për ndryshimin e Ligjit për arsimin e mesëm, me procedurë të shkurtuar.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska në fillim shpjegoi ligjet mbi arsimin fillor dhe të mesëm.

Por gjatë ditës së djeshme debati lidhur me këto ligje u fokusua në kushtetutshmërinë e propozimit të Ministrisë së Arsimit. Opozita shqiptare kërkon që të mos diskriminohen Komunat. Sipas deputeti Halil Snopçe, Qeveria nuk mund ta thotë fjalën e fundit pa konsultim paraprak me organet kompetente që menaxhojnë me shkollat fillore.

Ne nuk intervenuam që Qeveria të mos e ketë fjalën e fundit, por kërkonim që paraprakisht të konsultohen dhe merrnin mendim nga Vetëqeverisjet lokale. Pse? Sepse komunat më së miri e dinë gjendjen nëpër shkolla, i dinë më së miri problemet me të cilat ballafaqohen, infrastrukturat e shkollave etj. A nuk është e moralshme të merret mendim nga shkollat?”-tha Halil Snopçe, deputet i ASH-së.

Deputetët e VMRO DPMNE-së kërkuan sqarim se si dekretet me forcë të ligjit do të zbatohen pa pasur gjendje të jashtëzakonshme në fuqi. Partia e Mickoskit nuk konteston masat e propozuara, por mënyrën e zbatimit të tyre.

Ministre unë nuk e di por ju lutem ma thoni a jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe a është Qeveria akoma teknike. Ka juristë këtu dhe ta thonë ata versionin e tyre. Pra dekrete me forcë të ligjit mund të sjellin vetëm Qeveritë teknike. Unë e di që dekret sjell Qeveria teknike, ose jemi në gjendje të jashtëzakonshme por nuk e dimë”-theksoi Bllagica Lasovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Përfshimë dekret i cili në rrethana të jashtëzakonshme mund të sillet nga Qeveria me qëllim numrin e orëve, ditët e mësimit në një vit mësimorë si mekanizëm që për herë të parë vendoset në ligj. Qëllimi i këtij dekreti është rregullimi teknik i procesit mësimorë por për herë të parë përfshijmë edhe të drejtën e mësimit nga distanca”-tha Milla Carovska, ministre e Arsimit.

VMRO DPMNE-ja kërkon që bashkë me ndryshimet ligjore të sillet edhe konstatim i përbashkët për procesin mësimorë nga muaji mars deri në gusht, i cili sipas tyre nuk ka vijuar në mënyrën e duhur. Deputetët opozitarë kërkuan nga ministrja Carovska dhe ish ministri Arbër Ademi të japin detaje për kushtet teknike të nxënësve të cilët duhet ndjekin mësimin nga distanca.