Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 61 vota sot votoi Ligjin për Tatimin e Solidaritetit, përmes të cilit do të taksohen kompanitë e mëdha që kanë realizuar të ardhura mbi 10 milionë euro në vit dhe fitimi është më i lartë krahasuar me vitet e kaluara, përcjell INA.
Në seancën e sotme u votuan edhe ndryshimet në ligjet për tatimin mbi fitimin dhe ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Me këtë ligj, pritet që në arkën e shtetit të përfundojnë nga 50 deri në 80 milionë euro, ndërsa ai do të përfshijë kompanitë nga sektori i tregtisë, energjetikës, metalurgjisë, financiar, si dhe kompanitë me aktivitete tjera.
Sipas analizave të mëparshme të DAP (Drejtoria e të Ardhurave Publike), bëhet fjalë për 150 deri në 200 kompani që kanë të ardhura mbi 10 milionë euro.
Odat ekonomike tashmë kanë reaguar ashpër se do ta kundërshtojnë këtë zgjidhje të re ligjore para Gjykatës Kushtetuese me padi, pasi siç thanë ata, ky ligj është i dëmshëm për taksapaguesit.
Disa kompani, jozyrtarisht, tashmë duan të shprehin protestën e tyre duke e zhvendosur aktivitetin e tyre jashtë vendit. Po ashtu për ta ka qenë e diskutueshme që ligji ka hyrë për herë të dytë në Kuvend pas një procedure të shkurtuar, pra me flamur evropian.
Sipas informacioneve të para jozyrtare, DAP do të kërkojë që kjo taksë të paguhet brenda një muaji, pra deri më 25 tetor, gjë që do të prishte likuiditetin e kompanive.
Nga kompanitë tashmë vijnë reagime se shpenzime të tilla biznesi nuk përkojnë me planet vjetore të biznesit të tyre dhe se në mesin e tyre ka shoqëri aksionare, pronarët e të cilave tashmë kanë shpërndarë dividendën.
Pas votimit u shpall propozues Ministria e Financave, nga ku thonë se është një zgjidhje e njëhershme që futet në kushte emergjente, në kushte krize.
Sipas Ministrisë së Financave, karakteristika kryesore e këtij ligji, që është edhe rekomandim i KE-së, është solidariteti në veprim dhe do të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e nivelit të borxhit publik.(INA)