Ky është autori i vrasjes së trefishtë në Mat, i mbijetuari po trajtohet në spital

0

Ky është 51 vjeçari, Kujtim Koxha, i cili vrau me automatik tre punonjës të bashkisë dhe plagosi një të katërt në një lokal në fshatin Shëlli të Matit.

Ai u arrestua rreth një orë larg vendngjarjes, në një urë në Burgajet. Për kapjen e tij u vunë në ndjekje 40 forca policie.

Sipas policisë, 51 vjeçari “pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasve Mentor Hoxha, Astrit Hani, Erzen Alija dhe Hamit Buçi në një lokal”.

Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme shtetasi Mentor Hoxha, ndërsa pak orë pas ngjarjes humbën jetën dhe dy nga tre të plagosurit, Erzen Alija dhe Hamit Buçi.

I vetmi i mbijetuar por i plagosur, Astrit Hani, po merr trajtim mjekësor në spitalin e Burrelit.

Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit e bashkisë po punonin për hapjen e një rruge në këtë fshat.

Dyshohet se autori është konfliktuar më parë me punonjësit e Bashkisë dhe më pas është larguar e ka marrë armën automatik dhe ka qëlluar në drejtim të tyre në lokal.

Në vendngjarje është sekuestruar arma e zjarrit. Është ngritur një grup i posaçëm hetimi me ekspert të Policisë nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, të cilët po hetojnë këtë ngjarje.
Grupi hetimor gjithashtu ndodhet në vendin e ngjarjes si dhe po sekuestron çdo provë që lidhet me këtë ngjarje.

Komentet

komentet