Vjedhës veturash, i akuzuar si kidnapues i një biznesmeni nga Shkupi, i pasuruar nga kontrabanda, i lidhur edhe me grupe kriminale shqiptare, përfitues tenderësh në veri, por edhe në autostradën Prishtinë-Tiranë, njeri i besueshëm i Beogradit për ngritjen e barrikadave, pronar i restorantit Grej në Mitrovicë, i një firme në Bullgari dhe i disa firmave në Serbi, i sanksionuar nga SHBA-të.
Në vijim disa dëshmi të hulumtuara nga revista serbe “NIN” mbi veprimtarinë e Millan Radoiçiqit. Dhe një analizë mbi atë se me cilët politikanë shqiptarë punoi Beogradi për ndarjen e Kosovës.
■ Millan Radoiçiq u lind më 21 shkurt 1978 në Pejë. Deri më 1999 jetoi në Gjakovë. Sipas informatave të paverifikuara ka qenë pjesëmarrës në konfliktin e Kosovës si shumica e civilëve serbë në Dukagjin, të cilët u pajisën me armë nga magazinat ushtarake.
■ Një burim i NIN potencoi mundësinë që ai në atë kohë të jetë njoftuar me gjeneralin Bozhidar Deliq, i cili vdiq në Moskë në gusht 2022 në Moskë. Deliq akuzohej për krime të luftës në Kosovë.
■ Pas shpërnguljes së shumë serbëve më 1999, Radoiçiqi dhe familja e tij u vendosën në Vërnjaçka Banjë të Serbisë. Aty jetoi disa vite. Para se të kthehej në veri të Kosovës, ai iu shmang arrestimit si anëtar i grupit kriminal të Leskovcit. Ky grup merrej me kontrabandë të veturave të vjedhura në relacionin Maqedoni-Serbi-Kosovë.
■ Fletarresti i parë kundër Radoiçiqit u lëshua më 2003 me zbulimin e rastit të kidnapimit të Sali Mitatit, biznesmen nga Shkupi.
■ Kidnapimi ndodhi në janar të vitit 2001 pak para shpërthimit të kryengritjes së armatosur të shqiptarëve në Maqedoni. Në atë kohë në Maqedoni, sipas mediave lokale, ishin të pranishëm instruktorët e JSO-së, njësisë për operacione speciale të Serbisë. Një e përjavshme botoi një intervistë me Millorad Ulemekun («Legija»), më vonë i dënuar për organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.
■ Kidnapimet kanë qenë shenjë dalluese e klanit të Zemunit dhe Surçinit si dhe vjedhja e veturave, para se të merrte monopolin në tregtinë me heroinë, me ndihmën e strukturave shtetërore.(Koha.net)