“La Casa de Papel” mbaron sot, pesë pyetjet që presin përgjigje

Seriali fenomenal spanjoll, “La Casa de Papel” sot publikon pjesët e fundit të sezonit të pestë. Pesë episode përmbyllëse i japin fund aventurës së bandës së famëkeqëve që kthyen një grabitje në një rezistencë ndaj shtetit.

Ky prodhim i Netflix është konsideruar si jo vetëm ndër më të ndjekurit, por mbi të gjitha që kaloi barrierat gjuhësore dhe argëtoi miliona njerëz që nuk flasin spanjisht, në të gjithë botën.

Ndërsa mezi presim të shohim episodet e fundit për t’i mbaruar në më pak se 24 orë, po bëjmë një përmbledhje se çfarë pritet të shohim sipas paraqitjeve të shkurtra që janë publikuar deri më tani.

A do t’ia dorëzojë Alicia Sierra Profesorin policisë? Tashmë ajo është një nga femrat më të kërkuara në Spanjë dhe ndonëse ai e ndihmoi të lindte fëmijën e saj, ka ende motive për ta çuar atë drejt dështimit.

Çfarë kërkon Profesori brenda bankës? Në një nga videot, Profesori shihet duke hyrë, ndërsa e rrethojnë trupa të armatosur.

A do t’ia dalë banda të arratiset? Pas shkatërrimit që solli vdekja e Nairobit, ajo e Tokios tronditi thellë grupin. Ata nuk kanë më pengje dhe e vetmja gjë që e pengon Tamayon të dërgojë ushtrinë brenda, është ari dhe një regjistrim kërcënues i tij që ndodhet në duart e Profesorit.

Ç’do të bëjë Rafaeli? Gjeniu i teknologjisë dhe djali i Berlinit mori pjesë në grabitje të ndryshme me të atin, por nuk është prezantuar ende me bandën.

A ka vdekur Tokio vërtet? Ndonëse kjo pyetje ngjall shumë diskutime, askush nuk mund të mbijetojë me 4 granata që i shpërthejnë në kraharor. Sakrifica e saj i dha grupit më shumë kohë si dhe shkaktoi vdekjen e Gandias, Sagastas dhe një pjese të mirë të forcave speciale. Të paktën, presim të shohim momente të mëparshme të Tokios.