Lagjet shqiptare në Kumanovë, pa transport publik!

0

Kumanova me rrethin, pas Shkupit, është një ndër rajonet me më së shumti banor në vendin tonë. Por edhe në këtë rajon edhe pse ka trafik urban, ai është i dedikuar vetëm për vendbanimet maqedonase që rrethojnë Kumanovën, ndërkohë që shqiptarët nga lagjet e tyre periferike janë të detyruar ose të marrin taksin, ose të përdorin veturat e tyre private, ose të udhëtojnë në këmbë.
Si pasoj përdorimit të veturave të shumta në qytet, të cilat zakonisht janë të vjetra, po ndodhë edhe ndotja e lartë e ajrit në qytet dhe rrethinë. Autoritet komunale për mos funksionalizimin e transportit urban në lagjet shqiptare, gjithnjë arsyetohen me gjendjen e rrugëve të ngushta në këto lagje dhe ndërtimet pa leje që, sipas tyre, pamundësojnë qarkullimin e autobusëve urbanë në këto pjesë të qytetit. Një arsye tjetër pse transporti urban është i organizuar në këtë mënyrë, është se linjat e këtij transporti në Kumanovë mbahen nga kompanitë private që kanë fituar në tender publik.

Qytetarët shqiptar të rajonit të Kumanovës, ankohen se mungesa e transportit urban ua vështirëson dukshëm jetën, sidomos gjatë ditëve me shi dhe borë, kur janë të detyruar të sigurojnë transport alternativ ose të ecin në këmbë. Abedin Ismaili qytetar i rajonit të Kumanovës, për gazetën KOHA, është shprehur se është e patjetërsueshme ekzistimi i një linje të rregullt të transportit publik mes komunës së Likovës dhe asaj të Kumanovë, sepse mungesa e transportit paraqet problem kryesor në kryerjen e obligimeve të nevojshme për qytetarët e të dy komunave. Sipas tij për dallim prej qytetarëve të komunës së Tetovës, të cilët nuk kanë fare transport publik, qytetarët shqiptarë te Komunës së Kumanovës ndodhen pranë transportit publik, por ai nuk është i dedikuar për ta.

Qytetari tjetër i Kumanovës, Eren Ali, shpreh nevojën e ekzistimit të transportit publik. se “Lëvizja e qytetarëve nuk mund ta bëhet pa një transport të organizuar dhe kjo vlen sidomos për periudhën e dimrit, kur nuk do të ketë nevojë të përdoren veturat private dhe me këtë kurset ajri nga ndotësit e ndryshëm”, thotë Ereni. Ai shprehet skeptik, sepse sa i përket këtij problemi nuk po diskutohet as gjatë fushatave zgjedhore. Nga bashkëbisedimi me qytetarë vërejtëm edhe një dukuri se shqiptarët e Kumasniovës janë shumë pasiv në paraqitjen e problemeve që i shqetësojnë. Ata jo vetëm që nuk protestojnë, por edhe nuk parashtrojnë kërkesa në organet komunale për zgjidhjen e problemeve që prekin përditshmërinë e tyre. (koha.mk)