Lajçak pritet të emërohet si përfaqësues i posaçëm evropian për dialogun Kosovë – Serbi

0

Pikërisht në ditën kur në EUobserver është botuar opinioni i dy analistëve nga një institut i Gjermanisë, që kundërshtojnë emërimin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak për përfaqësues të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka biseduar me telefon me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës, përkatësisht Hashim Thaçin dhe Albin Kurtin.

Në njoftimin nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së është konfirmuar se Borrelli, bashkëbiseduesve të tij u ka folur edhe për vendimin për përfaqësuesin e posaçëm për, siç thuhet, “dialog dhe Ballkanin Perëndimor”, shkruan sot “Koha Ditore”. “Përfaqësuesi i lartë nënvizoi rëndësinë që reflekton për BE-në dhe atë personalisht që të emërohet një zyrtar në këtë pozitë e që ndikon në stabilitetin dhe progresin e këtij rajon drejt rrugës në BE. Josep Borrell ka rikonfirmuar se ai personalisht është i angazhuar fuqishëm që të përkrahë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të luajë rolin e tij si lehtësues i dialogut Beograd – Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Borrellit. Ndonëse disa diplomatë janë shprehur të pakënaqur për mënyrën se si Borrelli e ka siguruar këtë post për ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, ata i kanë thënë Kohës Ditore se “kjo tash është punë e kryer”. Të njëjtat burime kanë thënë se e vërteta është se është vendosur të jetë Lajçaku e pastaj të ndiqen procedurat, ndonëse do të duhej të ishte e kundërta.