Lajçaku: BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtat interesa për Ballkanin Perëndimor

0

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, thotë se BE-ja dhe SHBA-ja kanë të njëjtat interesa sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Këtë e ka thënë Lajçak pas takimit me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtat interesa në Ballkanin Perëndimor. Ne duam të shohim rajonin të përparojë dhe të ketë një perspektivë të vërtetë e të prekshme evropiane”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Po ashtu edhe Kosnett ka thënë se do të vazhdohet të punohet së bashku për të arrityr synimet e përbashkëta që është normalizimi dhe njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam shijuar takimin me emisarin e BE-së, Lajçak, për të diskutuar për interesat e përbashkëta në dialogun që po vazhdon. Marrëveshjet e Washingtonit e plotësojnë këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur synimet që i kemi të përbashkëta – normalizimi dhe njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Lajçak ka qëndruar në një vizitë treditore në Kosovë, ku është takuar me përfaqësuesit më të lartë politik në vend. Ai pritet të takohet paradite edhe me kreun e LDK-së, Isa Mustafa. Pastaj do të shkojë në Beograd për t’u takuar me përfaqësuesit politik të Serbisë.