shkruan: Bahri Cani
Lajm i keq për të gjithë ne që jetojmë në Gjermani: Ekonomia gjermane do të rritet në vitin 2025 për vetëm 0,3%, kumtoi qeveria e tanishme sot në Berlin.
E në vendet e tjera të BE pritet një rritje prej rreth 3%. Më parë në vjeshtë ministri i Ekonomisë Robert Habeck ka deklaruar se pritjet janë për një rritje prej rreth 1,1%, e tani parashikimet janë korrigjuar në vetëm 0,3%.
Shpresoj se do të ketë ndonjë mrekulli dhe gjërat do të shkojnë për mirë, por shikuar nga gjendja e tanishme, nuk mund të përjashtohet madje as mundësia që Gjermania edhe këtë vit ta përfundojë në recesion, sikur edhe dy vitet e fundit.
Gjermania ka probleme me çmimet e larta të energjisë, burokracinë e madhe, tatimet e larta, mungesën e punëtorëve të kualifikuar, e tani ka ardhur edhe Trumpi në Amerikë që kërcënon me rritjen e doganave. Kjo me Trumpin është shumë me rëndësi, sepse rreth 10% e eksportit gjerman gjatë vitit të kaluar ka shkuar në Amerikë.
Ndërsa sa i përket burokracisë së tmerrshme, vetëm gjatë një viti kompanitë gjermane shpenzojnë për punë burokratike rreth 65 miliardë euro. Ndaj gati një e treta e kompanive po interesohet edhe të zhvendosë prodhimet jashtë vendit. Tani për tani, e në të ardhmen ku i dihet, ky numër edhe mund të shtohet, nëse qeveria e re nuk ndërmerr masa urgjente. E këto masa janë më urgjente se kurrë më parë!