Lajm i mirë për bujqit në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka njoftuar se sot është proceduar një pagesë e radhës për subvencionet e bujqve.

7 milionë euro janë proceduar në orët e para të ditës së sotme për pagesë, në të cilët do të përfitojnë 5715 bujq

Peci ka shkruar se, po e përmbyllim javën me 12,128,781.73 milionë euro të proceduara për pagesë për 8,806 bujq, përfitues të Programit për Pagesa Direkte / Subvencione 2022 për çdo kulturë bujqësore.

“Vlera e proceduar sot për pagesë është rreth 7 milionë euro ndërsa numri i bujqve që do t’i përfitojnë këto mjete është 5,715”, ka shkruar Peci në Facebook.

Ai tutje ka theksuar se, duke qenë se afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për këtë sasi, në vlerë prej 0.03 €/kg, MBPZHR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë të veçantë për të gjithë aplikuesit të kulturës se grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit, bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin Administrativ Nr.02/2022.

Dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në Komunat përkatëse deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, po vazhdon shtypjen e vendimeve për të tjerë bujq përfitues dhe në momentin e procedimit për pagesë të listës së rradhës, do iu mbajmë të informuar.