Problemet për Joan Laporta nuk përfundojnë dhe këtë herë nuk kanë lidhje me Barcelonën. Presidenti i klubit katalanas do të dëshmojë të hënën e ardhshme në orën 9 para një gjykatësi të Barcelonës si person i hetuar për një krim të dyshuar mashtrimi. Ai rrezikon deri në 6 vite burg.
Ngjarjet në fjalë i përkasin periudhës kur ai nuk ishte në krye të blaugranëve, konkretisht vitit 2014. Siç raporton “El Español”, ai akuzohet se ka mashtruar një burrë që kishte fituar 34 milionë euro në llotari, duke i marrë 4.7 milionë euro.
Laporta, në rolin e tij si avokat, dyshohet se i ka këshilluar fituesit të llotarisë, gruas dhe vajzës së tij, të investonin në shoqërinë “CSSB Limited”, e drejtuar nga Joan Oliver, ish-drejtor i përgjithshëm i Barcelonës. Burri nënshkroi një kontratë, që hyri në fuqi më 1 nëntor 2017, për depozitimin e një pjese të parave në shoqëri (rreth 2.4 milionë euro) për një periudhë 3-vjeçare dhe me interes vjetor prej 6%.
Sipas informacionit, Laporta ka vepruar si këshilltar për llogari të shoqërisë dhe, njëkohësisht, si avokat i familjes. Denoncimi i paraqitur nga avokati Joan Comas thotë se Laporta ka shfrytëzuar “mungesën e njohurive financiare” të paditësve, duke i ftuar ata gjithashtu në disa raste në tribunën e “Camp Nou”.
Ndërmjet viteve 2016 dhe 2018 janë nënshkruar 5 kontrata të ndryshme huaje, për një vlerë prej 4.7 milionë euro, me një normë interesi vjetore ndërmjet 6% dhe 7%. Familja, e cila duhej të fitonte 792.000 euro shtesë, pretendon se ka marrë vetëm 84.000 euro dhe nuk është rimbursuar për shumën e investuar. Laporta ka mohuar gjithmonë se ka pasur lidhje me “CSSB Limited”.