Largimi i këshilltarëve të LSI, reagon Petrit Vasili

Kreu i grupit parlamentar të LSI e ka cilësuar një fake news të fabrikuar nga PS lajmin për largimet masive të këshiltarëve të LSI drejt kësaj partie.
I ftuar në Ora News, Vasili tha se lëvizje të tilla sporadike kanë ndodhur shumë muaj më parë dhe po risillen në vëmendjen e opinionit sikur kanë ndodhur sot.

Largimet, thotë Vasili, kanë qenë sporadike dhe të ndikuara nga presioni i ushtruar nga PS për mbajtjen e vendit të punës dhe jo për shkak të aleancës së LSI me PD siç pretendohet.

“Disa largime sporadike kanë ndodhur muaj e muaj më parë. Këto ditë është riprodhuar me regji të qeverisë. Fake News të një viti më parë ua riprunë publikut. Është njësoj si të thonë ish-deputeti Braho iku në PS. Është një fake i organizuar në mënyrë kaq të trashë sa nuk ka ku të vejë më.Nuk ka lidhje fare me aleancë, muaj më parë disa prej tyre nën presionin edhe të vendeve të punës që kishin, me kërcënimin e PS, 5-6 muaj më parë disa prej tyre në disa rrethe bënë një kompromis me PS dhe u larguan dhe janë përjashtuar dhe nga grupet tona respektive bashkiake prej kohësh.Nuk do humbasim kohën për një fake neës të paraqitur sikur ka ndodhur sot. Qeveria ka disa halle shumë të mëdha dhe përpiqet të shpërndajë dhe komplote me Rusinë, u largua një këshilltar i LSI nga filan bashki. Kanë ndodhur edhe gjëra të tjera, po të vërteta këto. Në Gjirokastër nga bashkimi i votave të LSI me PD u shkarkua kryetari i këshillit bashkiak të PS-së dhe është një kryetar i këshillit bashkiak nga opozita. Këto janë lajme të nivelit lokal, zgjidhen atje dhe nuk kanë asnjë rëndësi për situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi.”, -shprehet Vasili.

Por a e dëmtojnë këto lëvizje LSI?

“Nuk janë deklarata, janë të fabrikuara. 6-7 muaj më parë kanë ndodhur disa largime sporadike. Ne patëm një aksion masiv së bashku me 27 janar, të gjithë e panë. Prova e një fuqie të pandryshuar të LSI vazhdon të jetë atje.Të tërë do të bëjnë punën e tyre, edhe ata që prodhojnë fake news do të bëjnë punën e tyre, edhe ne jemi të detyruar të vazhdojmë punën tonë.”, -thotë Vasili.