Lazim Destani gjithmonë në krah të kombit e atdheut

Ç’privilegj të bashkëpunosh me një patriot dhe filantrop si Lazim Destani! Të rrallë janë njerëzit si Ai! Shembull i solidaritetit… Njeri në shërbim të lumturisë njerëzore… Kombi identifikohet me autoritetet e personalitetet siç është Lazim Destani…

Këto janë vetëm disa epitete që fliten e shkruhen për Lazim Destanin, i cili mbetët i pamposhtur dhe me dorë të zgjatur gjithnjë pranë popullit të vet.

Çelësi i tij shpirtëror, deri aty ku arrin, hap derën e varfanjakut, kthen shpresën për jetë të të sëmurit, kthen shkëlqimin në institucione kulturore e shkencore, me donacione vështirë të përballueshme edhe për shumë qeveri në botë.

Lazim Destani nuk ndalet. Ai nuk pret të bëhet top-lajm në televizione e as në mediet e shumta si politikanët, që jo rrallë janë mospërfillës me hallet e qytetarëve dhe marrin poste që nuk dinë t’i menaxhojnë. Filantropit e humanistit të madh e të njohur, Lazim Destanit, nuk i bëjnë përshtypje falënderimet false dhe kritikat cinike të sehirxhinjve, qofshin ata politikanë, artistë, apo ndërmarrës të ligë.

Ai është falënderues dhe besimtar i devotshëm i Zotit… Këtë herë po e përmendim aksionin e tij (si edhe viteve të mëhershme), që u ofron ndihma familjeve të shumta në nevojë, me anë të kuponëve për blerjen e produkteve të konsumit të gjerë.

Dhe, me këtë rast, Lazim Destani në Facebok-un e tij shkruan: “Më vjen mirë që nga biznesi ynë familjar u realizua shpërndarja e kuponëve me vlerë për blerjen e produkteve të konsumit të gjerë. Kjo është forma që ne për çdo vit i mbështesim familjet në nevojë, ndërsa tash, në periudhën e pandemisë, me buxhet të rritur. Le t’ia zgjatim dorën njëri-tjetrit, meqë kështu do ta kalojmë më lehtë këtë sfidë”.

Postimi i plotë:
Njerëzimi dhe sidomos shkenca e mjekësisë po e bën të pamundurën për frenimin e përhapjes dhe luftimin e Covid-19. Përkundër këtyre përpjekjeve, pandemia akoma nuk është tejkaluar, ajo po vazhdon të kërcënojë. Zbulimi i vaksinës dhe imunizimi i popullsisë po na mbushë me shpresë dhe besim se së shpejti do të çlirohemi nga kjo e keqe. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për pasojat, andaj duhet ta kemi durimin të vazhdojmë me zbatimin e masave mbrojtëse.

Jemi, gjithashtu, të vetëdijshëm se nga pasojat e pandemisë shumë familje vazhdojnë të mbetën pa të ardhurat e rregullta. Ato janë në gjendje të vështirë dhe kanë nevojë për mbështetje, të mos flasim për familjet sociale që po bëjnë përpjekje për mbijetesë.

Të nderuar kolegë biznesmenë, kudo që jeni, brenda trojeve tona apo në diasporë, le të vazhdojmë me solidaritetin tonë. Gjithsecili sipas mundësive që ka. Ju bëj thirrje t’u dalim në ndihmë këtyre familjeve, duke nisur nga fqinjësia, lagjja, katundi apo qyteti nga vijmë e më gjerë.

Më vjen mirë që nga biznesi ynë familjar u realizua shpërndarja e kuponëve me vlerë për blerjen e produkteve të konsumit të gjerë. Kjo është forma që ne, për çdo vit, i mbështesim familjet në nevojë, ndërsa tash, në periudhën e pandemisë, me buxhet të rritur. Le t’ia zgjatim dorën njëri-tjetrit, meqë kështu do ta kalojmë më lehtë këtë sfidë. Shumë prej atyre që sot janë në nevojë, nesër mund të jenë ata që do ua zgjatin dorën të tjerëve në nevojë!

Solidarizimi është humanitet, ndërsa humaniteti e fisnikëron shpirtin njerëzor dhe i afron njerëzit, i bën ata më të dashur me njëri-tjetrin /Kosovarja/