LDK gjatë fundjavës po planifikon të votohet Qeveria Hoti

0

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, LDK po tenton që gjatë fundjavës të mblidhet Kuvendi i Kosovës dhe të votohet Qeveria e udhëhequr nga Abdulla Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha për Klan Kosova se beson se para të hënës do të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re.

“Pasi vendimi është nxjerrë në orët e vona ne akoma nuk jemi konsultuar, por besoj se nesër në mëngjes do të konsultohemi. Procedura është shumë e thjeshtë, duhet vetëm një letër për Kryetaren e Kuvendit nga unë si Kryetar i Grupit Parlamentar ku caktojmë ditën dhe orën kur mbahet seanca, derisa të tjerat janë të përfunduara”.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së thotë se koalcioni LAN i ka votat e nevojshme.
“Unë kam dorëzuar në Zyrën e Parashtresave të Kuvendit kërkesën për seancë me 61 nënshkrime dhe kjo çështja e votave nuk besoj se është më çështje diskutimi. Për formimin e qeverisë duhen të paktën 61 deputetë dhe unë minimumin e nevojshëm për formimin e qeverisë tashmë e kam dorëzuar”.

Ai për KlanKosovën tha se beson që Lëvizja Vetëvendosje do ta kalojë këtë dhe se do të vazhdojë bashkëpunimi. (INA)