LDK-ja ende s’i ka emrat e ministrave, seanca pasi të publikohet i plotë aktgjykimi

0

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta udhëheqë qeverinë e re që pritet të votohet këto ditë. E dalë e dyta nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, LDK-ja në krye me Isa Mustafën e ka fituar në Gjykatë Kushtetuese luftën për mandatarin, ndërsa Avdullah Hoti i kësaj partie pritet të zyrtarizohet si shef ekzekutivi. Megjithatë, seanca do të thirret pasi të publikohet i plotë aktgjykimi.

Në Selinë Qendrore të LDK-së, në Prishtinë, një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e dekretit të mandatarit, u mblodhën fytyrat kyçe të kësaj partie.

Të thirrur nga Isa Mustafa, në LDK u diskutua lidhur me vendimin që i jep të drejtë kësaj partie nominimin e kandidatit për kryeministër.

Para nisjes së takimit, shefi i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se votimi i qeverisë së re mund të thirret nesër ose të hënën.

Nuk e la pa e çuar një mesazh as për shefin e qeverisë në detyrë, Albin Kurtin, me të cilin bashkëpunimi në koalicion u zgjati pak më shumë se 50 ditë.

Mustafa tha se nuk besojnë që do të hasin në rezistencë për të liruar zyrat e Qeverisë, e sipas tij, një gjë e tillë ndodh vetëm në vendet totalitare të Afrikës.

“Mbledhje të kryesisë nuk kemi, ka konsultime lidhur me thirrjen e seancës së Kuvendit. Tani do të shohim edhe me kryetarin e grupit parlamentar dhe me kandidatin tonë për kryeministër se kur do të thirret mbledhja e Kuvendit por edhe me partnerët tanë, AAK-në, Nismën dhe partnerët tjerë… Tani ekziston një mundësi që një seancë të mbahet nesër, ekziston edhe mundësia që të mbahet të hënën”, ka thënë Mustafa.

Me të dalë nga takimi ku pjesë mori i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti e shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e dhanë edhe një deklaratë për media.