Leje qëndrimi për pensionistët dhe ata që blejnë prona në Shqipëri

Arben Malaj

Një nga politikat e reja ekonomike që po tenton të përdorë Shqipëria, është ajo e afrimit të shtetasve të huaj për të jetuar në vendin tonë. Një ligj i ri për “Të huajt” është depozituar nga Këshilli i Ministrave në Kuvendin e Shqipërisë, duke tentuar të ofrojë një mjedis lehtësues për marrjen e lejeve të qëndrimit për biznesmenët dhe pensionistët që do të vijnë të investojnë dhe jetojnë në Shqipëri.

Ligji miraton në mënyrë të menjëhershme lejen për pensionistët që kanë të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë në vit, për sipërmarrësit që investojnë me hapjen e një biznesi dhe për blerësit e pasurive të patundshme në Shqipëri. Profesori i ekonomisë Arben Malaj, thotë se ky model ka gjetur sukses në vende me ekonomi të ngjashme me ne.

“Një pjesë e pronave marrin vlerë të tyre qoftë të vinë për të kaluar një pjesë të kohës së pensionit të tyre, qoftë për të ndenjur në mënyra më afatgjata. Dhënia vlerë e pronës qoftë individuale, qoftë konsumi që vjen prej tyre, nuk e rrezikon Shqipërinë, biles e bën më tërheqëse”.

Një tjetër politikë pozitive përkrahëse për ekonominë është edhe rregullimi i tregut të punës, ku përparësi për të hyrë në vendet e punës, duhet ta kenë fillimisht shqiptarët e më pas të huajit.

“Rendi, siguria e shërbimit shëndetësor publik, privat, sipas rregullave që janë sepse vijnë administratorë, vijnë familjarë. Grupe të caktuara kanë kërkesa specifika”.

Politikat e tërheqjes së të huajve në moshë pensioni për të jetuar janë aplikuar edhe në vende të tjera me ekonomi në zhvillim. Ky projektligj vjen në kohën kur në tremujorin e fundit 2020, shtesa natyrore e popullsisë shqiptare ishte negative, duke u shënuar më shumë vdekje se lindje.