Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) bëri të ditur se sot kanë marrë edhe një konfirmim se BDI është në panik të madh.
“Frika nga përgjegjësia penale dhe politike për krimin e kryer i bën ata të përpiqen me dëshpërim të heqin etiketën se janë bërë parti e kazinove. Është ironike që Artan Grubi tenton ta paraqesë krimin e bizneseve të kazinove si triumf politik të BDI-së. Nuk ka turp më të madh për Ali Ahmetin kur hyrja e nëntokës mafioze serbe në RMV përmes online lojërave të fatit në internet falë kurbanit Përparim Bajrami, paraqitet si arritje kulminante politike. BDI ka prekur fundin, nga një parti që luftonte për të drejtat e popullit shqiptar u transformua në një shpërlarëse parash të pista. Populli shqiptar e di se distanca prej 500 metrash nga institucionet arsimore është vetëm një hudhje hi syve për të fshehur dispozitat ligjore që duhet t’i mundësojnë Grubit të mbushë xhepat me para publike”, thekson LEN.
Sipas tyre, Artan Grubi në 4 vitet e fundit ka shpenzuar 40 milionë euro për pajisjet VLT. Vetëm një ditë para formimit të Qeverisë Teknike, ai bleu pajisje VLT për 12 milionë euro. Në vend të librave për nxënësit, shkollave, klinikave, spitaleve, sallave sportive dhe objekteve tjera strategjike, paratë u shpenzuan për helmimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë.
“Artan Grubi do të mbahet mend që me nënshkrimin dhe vulën e tij hapi tre kompani të lojërave të fatit online në internet, duke ua sjellë qytetarëve të keqen në shtëpi. Të rinjtë përmes celularëve bëhen viktima potenciale të lakmisë për para të kompanive të kazinove që janë partnere me BDI-në. Për të gjitha këto mëkate do të pasojë përgjegjësia politike dhe penale. Lidhja Europiane për Ndryshim pas 8 majit do të miratojë një ligj të ri që do të mbyllë të gjitha format e lojërave të fatit”, thekson LEN. (INA)