Kampioni i Gjermanisë, Bayer Leverkuseni, ka shënuar tjetër fitore me gol në minutat shtesë.
Të dielën, Leverkuseni fitoi 4:3 ndaj Wolfsburgut, në kuadër të xhiros së katërt të elitës gjermane të futbollit.
Leverkuseni në katër ndeshje ka mbledhur nëntë pikë dhe renditet i dyti. Më herët kishte pësuar humbje nga Leipzigu, ndërsa i kishte edhe dy fitore.
Ndeshja e së dielës ishte shumë interesante.
Wolfsburgu, që ishte mysafir, kaloi në epërsi 1:0 që në minutën e pestë kur Nordi Mukiele realizoi autogol.
Në minutën e 14-të Granit Xhaka asistoi për Florian Wirtzin që shënoi golin e barazimit, 1:1. Jonathan Tah kaloi në epërsi 2:1 Leverkusenin në minutën e 32-të, por menjëherë në minutën e 37-të rezultatin në 2:2 e barazoi Sebastiaan Bornauw.
Mattias Svanberg shënoi gol tjetër për Wolfsburgun në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Ai realizoi për 3:2.
Në minutën e 48-të shifrat në 3:3 i barazoi Piero Hincapie.
Në minutën e 88-të u përjashtua Yannick Gerhardt i Wolfsburgut, kurse në minutën e 93-të, golin e fitores së madhe për Leverkusenin e shënoi Victor Boniface.
Në edicionin e kaluar Leverkuseni shumë fitore i ka arritur me gola në minutat shtesë. Dhe kjo po vazhdon edhe këtë edicion.
Xhaka e kompletoi ndeshjen te skuadra kampione dhe ishte prej më të mirëve.
Wolfsburgu është i 13-ti me tri pikë.