LËVIZJA ANTIKOMUNISTE E POSTRIBËS

0
Jup Kazazi

Nga Eugen ShEHU/

Për qindra e mijëra shqiptarë që dualën të mundur të vrarë e prerë prej fashizmit,në „fitoren“ e nëndorit të vitit 1944,u duk se pat lindur dita e madhe.Ata mbushnin rrugët dhe trotuaret e qyteteve duke përqafuar e përshëndetur „nacionalçlirimtarët“,duke u dedikuar pikërisht atyre luftën çlirimtare. Por kjo fitore do të ishte tejet e hidhur,ndofta si ajo e Pirros mijëra vjet më parë, e cila pat çuar në tragjedi.Paralele me këtë entuziazëm,i cili nuk zgjati më shumë se muaji nëndor 1944,u nder mbi viset shqiptare reja e zezë e diktaturës së kuqe.Ka qenë sigurisht një fat i mbrapshtë i shqiptarëve,fitorja e bujshme e bollshevizmit sllav,fitore e cila do t’u jepte të drejtë „fitimtarëve“ që të ndanin gjahun e majm.Famkeqja mbledhje e Jaltës (ashtu si famkeqi traktat i Shën Stefanit apo ai i Londrës) e ngarkoi Stalinin të luante rolin mbizotërues në rrjedhat e popujve ballkanik,me ç’rast Shqipëria detyrimisht do të hidhte vallen sipas melodive,ruse të ardhura nga stepat e Uraleve.Klika e Tiranës,asaj kohe jetonte muajin e mjaltit me Titon dhe niste përpjekjet për të shtypur me zjarr dhe hekur çdo revoltë popullore kinse ato organizoheshin prej „ballistëve dhe reaksionarëve“.
E vërteta është se me luftë kundër „reaksionit“ komunistët e Tiranës,të mësuar në shkollën e Dushanëve e Miladinëve,nisën të terrorizojnë,vrasin dhe djegin krejt ato shtëpi në Veriun e Shqipërisë,të cilët nuk patën përkrahur lëvizjen nacionalçlirimtare.Ky revansh i tipit bollshevik,nuk ka qenë aspak rastësor siç janë munduar ta paraqesin më vonë komunistët lapsaxhinj por një veprim i qartë politik i planifikuar dhe i ideuar në zyrat e Tiranës dhe Beogradit.Në krye të këtij veprimi luftarak aventuror dhe makabër,klika e Tiranës vendosi Mehmet Shehun i cili edhe gjatë viteve 1942-1944,ishte dalluar në strukturimin e veprave të tilla kriminale.Në krye të këtij operacioni,në funksionin e gjeneral-kolonelit,Mehmet Shehu i mbushi radhët e nacionalçlirimtarëve me djem të rinj nga Jugu i Shqipërisë,i armatosi ata deri në dhëmbë duke propaganduar se do të luftohej dhëm për dhëmbe me bandat e „reaksionit“.Në fakt,urdhërat që ai i pat lëshuar,nuk kishin të bënin aspak me „reaksionin“ por me vetë popullin i cili po binte tashmë nga shiu në breshër.Në një prej këtyre urdhërave zbulohet qartë terrorizmi i klikës komuniste të Tiranës,në gjoja aksionin për grumbullimin e armëve.U kërkohej me çdo kusht arma shqiptarëve të trevave veriore të cilët e patën nder ta kishin ate të varur në mure të kullës,ç’prej kohëve të Skenderbuet.Goditej në këtë mënyrë,ballazi,dinjiteti aq shumë i vyer i shqiptarit.Ja ç’thotë më konkretisht urdhëri i Mehmet Shehut,këtij bollsheviku të vendosur për luftë vëllavrasëse,dërguar komandantëve të brigadave nacionalçlirimtare që vepronin në veri të Shqipërisë: „Nëse ndonjëri e fsheh armën,apo në vend të dy armëve dorëzon vetëm njërën,ndaj këtyre të merren masa më ekstreme,duke i pushkatuar edhe pa gjyq.Reaksionarët që kapen me armë ose pa armë,të pushkatohen menjëherë pa gjyq.Dezertorët në radhët e luftës antifashiste nacionalçlirimtare të paralajmërohen që të kthehen nëpër formacionet që kanë qenë,duke iu dhënë një afat të shkurtër.Më pas,të ziren dhe të pushkatohen në vend pa gjyq.Reaksioni pa përjashtim të asgjësohet fizikisht.Populli të mobilizohet me detyrim“.
(Arkivi Qendror i ushtrisë-Tiranë.Fondi i korporatës së Tretë dosja 10 , fleta 19 ).
Pas këtij urdhëri dhe të tjerave me radhë,shqiptarët e këtyre trevave të veriut e kuptuan se nuk kishin të bënin me vëllezërit e tyre të një gjaku,por me një kope ujqish që veç gjak kërkonin.Kësisoj,revoltat do të shpërthenin njëra pas tjetrës dhe ku më pak e ku më shumë,ato do të tregonin se populli martir do të luftonte kundër komunizmit ashtu siç pat luftuar pak më parë,kundër fashizmit.Kjo ishte dhe mbeti kurdoherë në logjikën e ftohtë të shqiptarëve të cilët patën ëndërruar që kur luftonin me Skënderbeun,të ishin në anën e popujve të Evropës së qytetëruar të perëndimit.
Në nëndorin e vitit 1944,revoltat filluan në Mat dhe Mirditë.Kjo ngase nacionalçlirimtarët,në përpjekjet për të vendosur pushtetin e tyre nëpërmjet këshillave,pushkatuan pa gjyq qindra nacionalistë apo simpatizantë të Monarkisë.Valë-valë,këto revolta shkuan deri në Shkodër e Peshkopi,të udhëhequra tanimë prej burrave të shqyar të atyre trevave.Malësia e Shkodrës kish dhënë prej kohe kushtrimin dhe çetat e guerilëve nacionalistë po mbusheshin plot djem e burra që nuk donin të dëgjonin as emrin e komunizmit.Tamara,ka qenë vendi i parë i revoltave antikomuniste.Më pas disa beteja u ndezën në Vukel për të ardhur në malësitë e Kelemendit.Këtu duhet thënë se kelemendasit patën rregulluar fort bukur pozicionet luftarake,për t’u ndeshur me „nacionalçlirimtarët“ e Mehmet Shehut.Ata i bënë thirrje t’i udhëhiqte trimi Preng Cali i cili pat luftuar vite me radhë kundra hordhive serbe,mandej ish plagosur dy herë në luftë me ta.“Preng Cali ka shkuar aty me një grusht trimash të vet dhe ka parë pozicionet.Por është menduar thellë burri,duke pirë duhan me çibuk.S’e ka dashur askurrë këtë luftë,vëlla me vëlla për hir të ideve“.
Për më tej,dy tri herë ai ishte thirrur nga komunistët të cilët i patën premtuar boll grada e hierarki ushtarake,nëse do të virej në shërbim të nacionalçlirimtarëve.Por Preng Cali se ka pranuar këtë ofertë.Ai pat shkuar në kullë të tij e tash që e thirën malësorët e Kelemendit,nuk mund të rrinte.Por bashkëluftëtarëve të vet u ka thënë ;“Na do t’i bëjmë komunistëve nëse ata vijnë me flamur të Rusisë“.Mehmet Shehu,duke dashur të bënte sa ma shumë malsorë për vete,dha urdhër të mos marrshohej me flamurin me yll,ngase e dinte karakterin e kelmendasve.Ai mundi të fuste një brigadë nacionalçlirimtare deri në pyjet e thella të Kelmendit,ngase atdhetari Preng Cali pat urdhëruar që të mos hapej zjarr kundra vëllezërve të një gjaku.Sigurisht që Mehmet Shehu e ka kuptuar këtë besë shqiptari dhe e fton kreshnikun Preng Cali, në shtabin partizan në Rrafsh të Hotit. Mes tyre dhe malësorit trim e bujar shpërthejn replikat.Kur Shehu e sheh se e ka të kotë bisedën,përfundon me fjalët: „E Preng Cali,të pat ardhur dita të mbyllësh historinë tënde me shkronja ari,po të ishe bërë me ne.Pse e bëre kështu ? Zotni,ju përgjigj preng Cali,faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleat me armikun shekullor tonin,serbin“.( Gazeta „Rilindja Demokratike“ 7-IX-1995 ).
Prej atij momenti,Preng Cali nuk hoqi pushkën nga dora.Tashmë çeta e tij arrinte deri në 300 guerrill të armatosur,të vendosur deri në fund të luftojnë kundër komunizmit.Preng Cali bashkëpunon me Muharrem Bajaraktarin,Mark Gjonmarkën,Mark Lukën,Kol Gjon Bajaraktarin dhe Gjok Marashin.Ai do të jetë jo vetëm organizator i aftë por edhe trim i rrallë.Në disa luftime sporadike,ndaj nacionalçlirimtarëve,zinte për vete pozicionin më të rrezikshëm duke qenë shumë afër vdekjes.Por plumbi nuk e kapte.Ka qenë kjo arsyeja që shtabi i Lartë i Ushtrisë Nacionalçlirimtare,prej kohësh pat vënë rreth 200-300 partizanë që ndiqnin veprimet e Preng Calit.Por ngase njihte mirë terrenin,Prenga u pat shpëtuar goditjeve.Për më tej,vetë Enver Hoxha ( i ushtur nga beogradi sigurisht) me dorën e vet firmos një urdhër ku pos të tjerave thotë : „ Të goditen në mënyrë të menjëhershme dhe të asgjësohen plotësisht forcat e Preng Calit, ç’do rezistencë e popullit të Vermoshit dhe zonave për rreth tij,duhet ti përgjigjemi me gjithë forcat tona“. (Arkivi Qendror i Ushtrisë – Tiranë.Fondi i komandës së Përgjithshme, Dosja Nr.1,fl.13,dt.18-1-1945)
Pushkatimi i disa muaj më pas i Preng Calit prej komunistëve,nuk zbehu revoltën popullore antikomuniste të trevave të veriut shqiptar,për të ardhur tek Postriba martire.
E vërteta është se kryengritja antikomuniste e Postribës (4-5 kilometra në verilindje të qytetit të Shkodrës) pati një inicim prej intelektualëve nacionalistë të këtij qyteti.Burime të arkivave i bëjnë me dije se atdhetarët Jup Kazazi,Riza Dani,Muzafer Pipa,Gjergj Vata,Paulin Pali,ç’prej kohe ishin organizuar për t’u paraprirë revoltave popullore antikomuniste.Për më tej,shumë prej këtyre nacionalsitëve,patën përgaditur edhe platformën konkrete për veprimtarinë antikomuniste.Anipse në vitet 1945,në Shkodër e rrethina,mësyjnë mijëra nacionalçlirimtarë,popullsia martire e Veriut shqiptar nuk e uli kokën të pajtohej me trillet e fatit.Mbi njëzetë çeta të armatosura të guerilëve shqiptarë vepronin në fillim të vitit 1946,dhe në luftë kundra tyre ishin vënë gati 8 mijë nacionalçlirimtarë.Ka qenë shumë e njohur fakti se me ndihmën e Koçi Xoxes (agjend jugosllav) në pikat kyçe të sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe,vepronin agjentë të zbulimeve sllave.Këta , ndonëse kanë vepruar në mënyrë tejet të fshehtë,sigurisht që kanë qenë nxitësit kryesorë të dhunës ndaj veriut shqiptar i cili pat qenë kurdoherë në gjendje lufte me Serbinë.Në fillim të korrikut të vitit 1946,disa atdhetarë Shkodran,duke parë se komunizmi nuk mund të goditej vetëm me parulla e takime të fshehta,aq më tepër,të zhgënjyer edhe prej qëndrimet të ftohtë të angloamerikanëve, vendosën të organizojnë kryengritje të armatosur kundër komunizmit.E vërteta është se takimi i këtyre nacionalistëve u bë në mënyrë tejet të fshehtë,në shtëpinë e Cin Serreqit.Por nisma ishte e atdhetarit të shquar shkodran Riza Dani.Ky burrë i mençur e trim,asaj kohe ishte zgjedhur deputet i Shkodrës.Por shpejt u zhgënjye nga parlamenti shqiptar,kur pa se në ate tempull të shenjtë të besimit,askush nuk mendonte për të mirën e popullit , por përkundrazi për ideologjinë sllave të cilat çdo ditë e më shumë binin pedrejtësisht mbi kurriz të popullit.Riza Dani kish mbajtur disa fjalime të ashpra në parlamentin shqiptar të mbushur deng me bollshevikë.Askush se kish dëgjuar ate,përkundrazi kishin filluar ta shihnin si reaksionar që „mbron interesat e borgjezisë shqiptare“.Në shtëpinë e Cin Serreqit,në tubimin e dhjetra burrave,Riza Dani bëri thirrje për kryengritje në Shkodër me ç’rast revolta mund të përfshinte krejt veriun dhe më tej,krejt Shqipërinë.Përveç intelektualëve nacionalist,në këtë tubim merrnin pjesë edhe disa priftërinj katolikë,të vendosur në bindjet e tyre antikomuniste.Ata ishin plotësisht të një mendjeje me planin e kryengritësve.U vendos pikërisht aty,në mënyrë unanime që data e kryngritjes të ishte pikërisht 16 shtatori.
Sigurisht vera e vitit 1946,nuk mund të ishte aq e bukur për popullin e Shkodrës me krejt rrethinat.Në qendër të qytetit,aty ku dikur ndodhej Selia e Kuvendit Franceskan,Mehmet Shehu vendosi burgun dhe hetuesinë së bashku.Mandej kur dhomat e mëdha të Selisë u mbushën plot me të burgosur,prej forcave të sigurimit të fshehtë u muarën edhe disa reparte ushtarake.Shkodra jetonte çdo natë me ankthin se kujt do t’i trokisnin në portë,për ta arrestuar e më pas shumë prej tyre nuk ktheheshin askurrë në vatrat e tyre.Në fund të korrikut 1946,komanda e qarkut të Shkodrës,kërkoi mobilizimin e djemve të rrethinave të Shkodrës,me ç’rast ata do të shkonin të kryenin shërbimin duke ndërtuar rrugë apo tharë këneta.Përballë kësaj gjendjeje,organizatorët e kryengritjes , Jup Kazazi, Riza Dani,Rasim Gjyrezi,Abdulla Kazazi,Gjon Serreqi etj,menduan të shpejtojnë përgaditjen ngase ata djem do t’u duheshin për të mbushur radhët e kryengritësve antikomunistë.Për këtë,në vendin e quajtur Kodër – Boks,në Postribë,organizohet një tjetër tubim.
„Në pasditën e 8 shtatorit 1946,në Kodër-Boks,pranë fushës së vjetër të aeroplanëve,te kratuli i Bajram Rexhepit,krerët e postribës,Osman Haxhia,Abaz Sulejmani,Zyber cafi,Kasëm Rakipi nga Boksi,Jemin Zyberi,Selim Raci,Dervish Nuzi dhe Ismail Duli nga Dragoci,Abdulla Zeiti,Jakup Dani,Muho Fetahi nga Kullaj,Myrto Dani,Ali Brahimi,Metush halili,Ram Fari nga Drishti,Muho Dyl Sul Osja nga Muselimi,Haxhi Tahiri dhe Idriz Tahiri nga Vorfa e Rrashi,si edhe 150 kryengritës të tjerë u mblodhën dhe pas një kuvendi të gjatë të drejtuar nga bajraktari Osman Haxhia,vendosën që sulmi të bëhej të nesërmen në agim të 9 shtatorit,me pjesmarrjen e gjithë burrave të krahinës“.( Uran Butaka – „Rilindja „ faqe 135 ).
Sigurisht,më parë se të organizojë këtë tubim,bajraktari Osman Haxhia,ka biseduar gjatë me Jup Kazasin i cili jetonte ilegal dhe ka marrë prej tij fjalën që të sulmojë në po atë ditë,në anën e kundërt të qytetit për të hutuar sa më shumë nacionalçlirimtarët.Po kështu,ishte biseduar edhe me krerët e tjerë të guerilëve si Pjetër Luli nga Hoti dhe Tish Pashku nga Rragami i Gurrit të Zi.Të nëntë fshatrat e Gurrit të Zi i udhëhiqte trimi Martin Sheldia.
Agu i 9 shtatorit i gjeti luftëtarët antikomunistë në përgaditjet e fundit.Qëllimi i tyre i parë ishte që me sulm të fuqishëm,të goditeshin forcat qeveritare pranë gazermave ushtarake e më pas të sulmohej burgu i qytetit ku ndodheshin djemtë më të mirë të Shkodrës,në duartë e kriminelëve.Në këtë mënyrë,guerilët kryengritës u ndanë në dy grupe për të shfrytëzuar befasinë si element i rëndësishëm i betejave të tilla.Në orën 2 të mëngjezit të kësaj date,pushkët e guerrillëve shqiptarë,shtinë bataret e para kundër forcave të regjimit komunist.Në të vërtetë,akti i madh i kësaj revolte,mund të ketë qenë i pari,në krejt evropën komuniste.Mesazhi i dhënë ishte i qartë,shqiptarët nuk donin komunizmin,ata do ta luftonin ate deri në sakrificën më sublime të tyre.Përgjigjja e komandës ushtarake nacionalçlirimtare ka qenë e menjëhershme.Duke parandjerë rrezikun,ata mundën për pak kohë,të bllokojnë të gjitha udhëkryqet që të çonin në brendësi të qytetit të Shkodrës dhe përforconin me mjete të rënda,burgun e qytetit.Krejt forcat e ashtuquajtura të Divizionit të mbrojtjes së Popullit,të armatosur deri në dhëmbë,u lëshuan mbi formacionet e guerilëve antikomunistë,madje me britma e të sharra të gjithfarshme.Në ndihmë të tyre,shkuan edhe forcat e shërbimeve sekrete shqiptare të cilat prej muajsh terrorizonin Shkodrën.Në momentet e para të betejës,guerrila antikomuniste arriti të deportojë pothuaj në largësinë 1- 1,5 kilometra nga qyteti i Shkodrës.Ata të stërvitur në sa e sa beteja kundër serbëve,malazezëve,mundën të përparojnë edhe pse toka shqiptare po mbulohej nga gjaku i bijve të saj.Ndër burrat trima,që detyruan tërheqjen dhe fshehjen në bodrume shtëpish të nacionalçlirimtarëve,vlen të përmenden : Haxhi Tahiri,Idriz Tahiri,Tom Gjini,Zyber Hyseni, GjetoZyberi, Jakup Dani,Ymer Beqiri,Abdulla Seiti,Pjetër Luli,Smaijl Duli,Brahim Aliaj,Selim Rraci etj.Duke vikatur e shtënë kundër forcave të regjimit,në fakt këta burra shtinin kundër vet komunizmit bollshevik për të cilin ishin betuar se nuk do ta futnin kurrë në vatrat e tyre.Kur luftimet kishin dy orë që patën filluar,atëherë në drejtim të Shkodrës,u nisën urgjentisht forca të tjera qeveritare të cilat ndodheshin jo shumë larg qytetit.Ata pos të tjerave mundën të bllokojnë Urën në Zall të Kirit duke penguar kështu ardhjen e guerilëve të tjerë nga Guri i Zi.Madje kur panë se në drejtim të urës po afroheshin formacione nacionaliste,ata derdhën mbi ta zjarr e hekur duke vënë në shërbim edhe grykat e armëve artilerike.Zënia e urës në Zall të Kirit, nga forcat komuniste,do të ligështonte së tepërmi prijësat e guerrilëve antikomunist të krahut tjetër ngase u gjendën tashmë mes zjarrit të fuqishëm.Por ata burra e patën dhënë besën njëherë dhe nuk do të mund të ktheheshin më mbrapa.Edhe pse ishin fare pranë qytetit,edhe pse forcat qeveritare shtinin nga bodrumet dhe dritaret e këtyre shtëpive,guerilët shqiptarë nuk shtinë asnjëherë kundër popullsisë së pafajshme e cila jetonte me ankthin e nacionalistëve.Për më tej,kur e panë se po rrethoheshin,këto guerilë nuk rendën të futen në qytet e të fshihen pasi dihej pastaj se çfar do të ushtrohej mbi qytetarët e pafajshëm Shkodran.Edhe përmes rrebesheve të plumbave,prijësit e guerilëve,udhëheqësit e bajraktarëve,dhanë urdhër për tërheqjen duke mbetur vetë në pozicionet e para të luftimit.Historiografia shqiptare,u ka mjaft borxhe këtyre,prijësave që ranë në fushën e nderit pa iu dridhur qerpiku,mandej të lehtësuar ,se e patën qëlluar me armë komunizmin ortodoks rus në atdhe të vetin.Rasim Koksi dhe Murat Haxhia, e panë se ishte e pamundur tërheqja e tyre.Ata u dhanë urdhër bashkëluftëtarëve të tyre të largohen në fshehtësi dhe vetë nuk i lëshuan pozicionet deri në çastin e fundit.Jup Kazazi,kur shihte se po i rrethoheshin shokët,në krye të 10 burrave,u doli përpara qindra forcave qeveritare dhe vetëm tërheqja e tyre,bëri që të jetojnë edhe disa ditë të tjera. Atdhetari Osman Hyseni plagoset në gjoks dhe plumbat i dalin në shpatull.Kur shokët vrapojnë ta marrin në supe,ai me dashuri i përqafon dhe u tregon se nga duhet të kalojnë.Më tej,për gjysëm ore,mban të gozhduar 10-12 vetë nga forcat qeveritare.Kur ka mbaruar krejt fishekët,ka ndjerë të hidhet përsipër 3-4 nacionalçlirimtarëve.Këta,për ta terrorizuar popullin e marrin trupin e Osman Hysenit,ende pa dhënë shpirt e lidhin pas një makine ushtarake dhe e tërheqin zvarë deri në Postribë.Edhe pse pat dhënë shpirt rrugës, e lënë në qendër të Postribës 3-4 ditë,pa e varrosur.Në një prej telegrameve që komandanti ushtarak i Qarkut të Shkodrës,Musa Daci,i dërgonte ate ditë Tiranës zyrtare,pos të tjerave thuhej ; „Më datën e sotme 9.9.1945,në orën 2/15 minuta të mëngjezit disa forca kriminelësh të ardhur nga ana e Shllakut,goditën rojën e regjimentit në gazermat.Një rresht tjetër goditën rojën e regjimentit në rrugën Shkodër – Pukë.Nga ana e jonë,një aspirant i rojës u vra dhe dy vetë të regjimentit janë plagosur.Nga ana e tyre mbetën dy të vrarë…“
( Arkivi i Ministrisë së Rendit – Tiranë , Dosja „Postriba „ fleta 64 ).
Në mesditën e po kësaj date,duke parë se ishte e pamundur të çahej dora e hekurt e forcave qeveritare,prijësat e guerilës antikomuniste urdhëruan tërheqjen për në drejtim të fshatrave përreth.Ata u ndoqën disa kilometra prej nacionalçlirimtarëve,me ç’rast dhanë jetën edhe dhjetra luftëtarë të tjerë.Kështu e ka mbyllur si parim kjo tragjedi shqiptare,një prej të shumtave në historinë e saj. Kryengritja e antikomuniste Postribës,në shtetin amë,është shtypur me zjarr dhe hekur.Klika komuniste e Tiranës ndonëse ato ditë, e ka quajtur këtë betejë,një fitore të madhe , e pat kuptuar në vetvehte se nuk do të kishte të lehtë të sundonte me komunizmin e saj mashtrues,veriun e Shqipërisë.Menjëherë pas kësaj,mbi popullsinë e pafajshme të Shkodrës dhe rrethinave,nisin terrorin dhe dhuna e pashembullt.Por kjo dhunë makabre do të fillonte me kryengritësit.Urgjentisht nga Tirana,po ate ditë mbrrin në Shkodër,major Zoi Themeli,i njohur për grushtat e hekurta që u ka pas dhënë „reaksionarëve“ dhe ballistëve,ata që nuk e donin regjimin gjakatar komunist shqiptar.Në krye të qindra forcave të ashtuquajtura speciale,Zoi Themeli,ka bllokuar menjëherë rugëkalimet e guerilës antikomuniste shqiptare.Të nesërmen,më 10 shtator 1946,në mesditë ata kanë mundur të kapin 12 djem të rinj,që pasi iu mbarua municioni u dorëzuan të gjallë.Me urdhër të Zoi Themelit,këta djem të rinj e trima,u çuan në Fushë të Shtoit (pranë Qytetit) dhe në mënyrë publike janë pushkatuar pa gjyq,brenda 2 minutave.Pas vrasjes duke hapur një gropë kolektive,i kanë hedhur trupat aty dhe i kanë lënë të pa mbuluara,njëkohësisht duke urdhëruar edhe qytetarët e Shkodrës që askush të mos afrohet pranë tyre.Përmes gjakut që gurgullonte,ashtu me gjymtyrë të coptuara,shkonin drejt pavdeksisë ; Halil Dauti,Ymer Zeneli,Elez Bajrami,Metush Alia,Muhi Fetahu,Brahim Selimi dhe Qazim Roji.Vetëm pas 48 orëve,Shkodranët bujarë kanë shkuar në Fushë të Stojit dhe i kanë varosur trimat sipas zakonit të tyre.“Të nesërmen,datë 11 shtator e në vazhdim, për javë e për muaj nuk pushoi terrori në fshatrat e Postribës.Komandanti i operacionit Zoi Themeli,me kartabjanke të kryexhelatit Enver Hoxha,vendos në çdo fshat të kësaj krahine,nga një qendër hetuesi-torture!“.( Gazeta „Balli i Kombit „ 7 shtator 1995 ).
Trimin e guerilës shqiptare,Ymer Beqiri nga fshati Boks,forcat qeveritare e kapin pas një rezistence gati prej dy orësh.Prijësin e lidhin me litar dhe 70 nacionalçlirimtarë e shoqërojnë për në Kodër-Boks.Lehtësisht ata mund ta pushkatonin ate,si i pushkatuan qindra burra të tjerë,por masakra e tyre duhej të ishte sa ma e plotë.Ymer Beqiri,pushkatohet brenda në oborr të xhamisë me ç’rast Zoi Themeli e ndyrësirat e tjera,dhunonin këtë vend të shenjtë për t’u treguar shqiptarëve se çfarë tmerresh,mund të prisnin nga ortodoksizmi sllav.Pjetër Shan Deda , (ati i të cilin ka pas përfaqsuar Shkodrën në Lidhjen Shqiptare të Prizërenit)ç’prej 9 shtatorit del në mal.E shoqja Maria,e ka parandjerë dramën ndaj një muzg,ajo do të niset vetë në mal,në bazën ku rrinte Pjetri.Ajo ka dashur të sihte pranë tij,edhe në çastin e mbramë.Në malet e Mazrekut,në një mëngjez të zymtë nëndori të vitit 1946,ata e shohin veten të rrethuar prej qindra forcave komuniste qeveritare.Në krye të çetës së Vogël,Pjetër Shan Deda nis luftën dhe pas disa orësh luftimesh,gjaku i tij,së toku me ate të gruas Maries kanë lagur ndershmërisht tokën arbërore.Në vendin e quajtur Zalli i Kirit,në hyrje të qytetit të Shkodrës,janë pushkatuar në ate muaj zie e turpi kombëtar;Cin Serreqi,Kel Coba,Abdulla Kazazi,Murat Haxhi,Nuh Oroshi,Paulin Pali,Gasper Simoni,Rifat Kopliku,Caf Dragusha e dhjetra martirë të tjerë.Askush nuk i gjykoi ata,askush nuk i mbrojti,gjyqet sipas Zoi Themelit dhe klikës së Tiranës komuniste kanë qenë të „tepërt“ për „reaksionarët“.Se çfarë gjendjeje kaosi e terrori,jetonte Shkodra në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1945, e mëson pos të tjerave në rrëfimet që ka bërë me ndershmëri,ish shifranti i Komitetit Qendror të PKSH-së.Lidhur me ngjarjet e Postribës,pos të tjerave ai ka deklaruar se ; „Zoi Themeli,Niko Cela e shumë të tjerë,urdhëroheshin nga komiteti Qendror i Partisë,për pushkatime të qytetarëve të ndryshëm.Kjo më linte të kuptoja se këto urdhëra jepeshin nga Partia dhe jo nga gjykatat kompetente… Ndodhte që të nesërmen që ishte dhënë urdhëri për pushkatim,jepej urdhëri tjetër që e anullonte të parin,por ndërkaq viktima mund të ishte egzekutuar.Kjo ka ndodhur shpesh gjatë periudhës që unë punova në këtë detyrë“.( J.Kadesha , rrëfim në gazetën „Rilindja „ më 13 dhjetor 1995 ).
Lisit të nacionalizmit madhështor,gjatë viteve 1943-1945,ia prenë degët.Tashmë,klika komuniste e Tiranës,godiste fort trungun me sopatë për ta shtrirë në tokë ate vigan.Dhe në fakt lisi u end dhe u përkund prej stuhive.Por ai askurrë nuk u rrëzua ngase kish rrënjë të thella në shpirtërat e antikomunistëve shqiptarë.Postriba e vërtetoi plotësisht këtë.