“Lidershipi i Ismail Qemalit”, fakte të reja në një botim të vetëm

“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.”- Ismail Kadare.

Është kjo parathënia nga shkrimtari i madh Ismail Kadare që shoqëron librin më të ri në treg me titull “THEMELUESI LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT” të shkruar nga profesor Evarist Beqiri. Një vlerë e shtuar për lexuesin shqipar dhe jo vetëm.

Probizz.al mëson disa detaje të botimit më të ri se përse vjen pikërisht për lexuesin në këtë periudhë. Autori i librit Z.Evarist Beqiri jep më shumë detaje duke theksuar se ky botim i drejtohet të gjitha kategorive të lexuesve, akademikëve, studiuesve, studentëve, komunitetit të biznesit, politikanëve, shqiptarëve të thjeshtë dhe sidomos të rinjve. Sipas tij libri i përket zhanrit biznes/lidership dhe ofron një qasje që nuk është realizuar ndonjëherë më parë në Shqipëri për asnjë figurë historike. Tashmë ka nisur shpërndarja nëpër librari dhe libri është gati për shitje, ndërsa promovimi pritet të bëhet në muajin nëntor me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Si lindi ideja për këtë libër?

Beqiri: Ideja lindi nisur nga boshllëku që ekziston në studimet për lidershipin në gjuhën shqipe dhe si një domosdoshmëri për të studiuar figurën e Ismail Qemal Vlorës në aspektin e lidershipit. Modeli i lidershipit të tij është i dobishëm për t’u njohur nga të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm ata.

 

Për çfarë flet libri?

Beqiri: Libri i përket zhanrit biznes/lidership dhe ofron një qasje që nuk është realizuar ndonjëherë më parë në Shqipëri për asnjë figurë historike. Ai i shikon gjërat nën prizmin e koncepteve të lidershipit, duke iu mëshuar fakteve dhe rrethanave historike në të cilat veproi Ismail Qemal Vlora.

 

Pse vjen në këtë moment?

Beqiri: Libri publikohet qëllimisht tani si një ogur i mirë në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ne si shoqëri vuajmë për modele të mira dhe e kemi të nevojshme për t’i edukuar të rinjtë me modele dhe shembuj të këtij kalibri.

 

Cila është e veçanta që libri ka për figurën e Ismail Qemalit?

Beqiri: Në historiografinë tonë figura e Ismail Qemalit është trajtuar, shpesh e cunguar dhe me ftohtësi. Libri e trajton figurën e tij në të gjitha dimensionet dhe me të gjitha ngjyresat e saj.

 

Kujt i drejtohet libri? Përse ka kaq vlerë që njerëzit dhe studiuesit ta lexojnë?

Beqiri: Libri iu drejtohet të gjitha kategorive të lexuesve, akademikëve, studiuesve, studentëve, komunitetit të biznesit, politikanëve, shqiptarëve të thjeshtë dhe sidomos të rinjve. Figura e Ismail Qemal Vlorës është pjesë ADN-së së identitetit tonë kombëtar, prandaj është e domosdoshme që figura e tij të njihet në të gjitha përmasat e saj.

 

A e ndryshon libri rrjedhën e perceptimit që ne kemi për këtë figurë?

Beqiri: Libri është befasues në këtë aspekt, pasi siç e thashë, ai sjell një këndvështrim krejt origjinal për figurën dhe për veprën e IsmailQemalit. Ky libër është një vlerë e shtuar në botimet shqip.

 

Sa libra keni botuar, na flisni pak për eksperiencën tuaj me librin?

Beqiri: Për mua kjo është eksperienca e parë si autor i një libri të këtyre përmasave. Ndërkohë, në vitin 2013, kam shkruar parathënien dhe kam përkthyer në gjuhën shqipe librin “Lidershipi i John F. Kennedy”. Kam pasur më parë eksperienca në shkrimin e punimeve shkencore, në punën time si pedagog.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja pas botimit të këtij libri?

Beqiri: Shpresoj që libri të lexohet sa më tepër dhe të ngjalli sa më shumë debate dhe diskutime tek publiku i gjerë. Uroj që libri të jetë veçanërisht i vlefshëm për të rinjtë dhe studentët, pavarësisht fushës së studimeve të tyre.

Rreth autorit

Evarist Beqiri u lind më 25 shtator 1982, në Vlorë. Në vitin 2007 u diplomua si “Jurist” nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Po aty, në vitin 2011, kreu studimet Master i Nivelit të Dytë. Në vitin 2017 fitoi gradën shkencore “Doktor” nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Prej katërmbëdhjetë vitesh shërben në administratën publike shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare. Ka kontribuar si lektor në një sërë trajnimesh për sigurinë kombëtare, organizuar nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Njëkohësisht, Evarist Beqiri është prej vitesh lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, i lëndës: E Drejta Kushtetuese; dhe në Universitetin “Luarasi”, Fakulteti i Ekonomisë, në lëndën: Lidershipi. Ai ka botuar, gjithashtu, një parathënie origjinale në librin e përkthyer prej tij “Lidershipi i John F. Kennedy” (2013).