shkruan: Evarist Beqiri
“Nosce te ipsum,”– shkruhej në tempullin e Apollos në Delfi. Gjëja më e vështirë është të njohësh veten dhe të gjesh vendin që të takon në këtë botë. Me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të begatë ne duhet që t’i edukojmë të rinjtë nën shembullin e njerëzve të mëdhenj. Ne shqiptarët kemi nevojë që ta njohim më mirë veten. Nënvleftësimi i njerëzve të mëdhenj çon tek ulja e standardeve dhe rritja e mediokritetit në shoqëri. Kjo plagë ka qenë një bashkudhëtare e shoqërisë shqiptare, e cila ka shkaktuar edhe një krizë identitare. Sepse siç thoshte poeti i madh Ali Asllani: “Kur nderohet një i lig, është i miri në rrezik.”
Lidershipi i Ismail Qemalit mbështetej mbi bazamentin e mirënjohjes dhe ne duhet t’i japim atij nderimin që i takon. Sepse Ismail Qemal Vlora ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri. Ismail Qemali i dha jetë trashëgimisë së Skënderbeut. Pa veprën e Ismail Qemalit nuk do ta kishim sot Shqipërinë. Emri i Ismail Qemalit vijon të nderohet brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Ismail Qemali përfshihet në antologjinë “Stars and Sands” të Joseph L. Baron, kushtuar personazheve të shquar botëror, të cilët kanë ndihmuar hebrenjtë nëpër gjithë botën. Duke filluar nga 3 qershori 2023, emrin e tij e mban tashmë edhe një rrugë në Staten Island, NY, SHBA.
“Synimi i artit është hyjnor,” – thotë Viktor Hygo – “dhe kur shkruan për historinë, ti e risjell në jetë, e ringjall personazhin.” Unë jam përpjekur që me anë të këtij libri t’a sjell Ismail Qemal Vlorën me sa më shumë vërtetësi. Dhe ashtu siç ai ishte në të vërtetë, një idealist dhe një shqiptarë i madh.
Sipas Faik Konicës, “idealizmi mund të dal vetëm nga dy burime që janë, kultura e lartë dhe vuajtjet e përbrezëshme.”. Ismail Qemal Vlora e kishte si kulturën e jashtëzakonshme ashtu edhe trashëgiminë e sakrificave familjare. Vlora e Flamurit dhe Labëria, e mëkoi atë që në vegjëli me frymën e saj atdhetare, duke ndezur në zemrën e tij flakën e atdhedashurisë që nuk u shua kurrë.
“Aq pak i nderon Shqipëria njerëzit qe e nderuan,” – vijon sërish Faik Konica – “sa gjen sot shumë shqiptarë që kujtojnë se Skënderbeu dhe Gjergj Kastrioti ishin dy veta.” Edhe sot mund të ketë shumë shqiptarë që mund të mendojnë se, Ismail Qemali dhe Ismail Qemal Vlora janë dy persona të ndryshëm. Prandaj, ne duhet të bëjmë më shumë që shpëtimtari i Shqipërisë Ismail Qemali, të nderohet e të njihet plotësisht nga brezat e rinj.
Ne kemi sot sërish nevojë për Ismail Qemalin më tepër seç ai ka nevojë për ne, dhe gjithmonë ka për të qenë kështu. Rikthimi tek Ismail Qemali është rikthim tek rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Lidershipi i tij është dëshmia me e mirë e faktit që kur shqiptarët bashkohen janë në gjendje të realizojnë gjëra madhështore.
Arbëreshët e shquar Dorsa, De Rada, Skiro, Lorekio etj., së bashku me Vaso Pashën dhe Sami Frashërin ishin ideologët e parë të çështjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u përqendruan kryesisht në lëmin historik, kulturor dhe gjuhësor. Ndërsa, Ismail Qemali udhëhoqi dhe themeloi shtratin ideor mbi të cilin u strukturua lëvizja politike kombëtare shqiptare.
Disa vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Faik Konica shkruante se pengesa kryesore e shqiptarëve drejt Pavarësisë ishte “mungesa e mësimit politik”. Ismail Qemali me lidershipin e tij e tejkaloi këtë pengesë në dukje të pakalueshme. Ai ishte një hap para të tjerëve në njohjen e rrezikut që po i kanosej Shqipërisë nën Perandorinë Osmane. “Ne në politikën tonë,” – thoshte Ismail Qemali – “do të bëhemi me të gjithë ata që janë kundër grabitësve të trojeve tona, sllavëve dhe grekëve.”
Ismail Qemali realizoi një strategji gjithëpërfshirëse për të formësuar dinamikat rajonale. Strategjia e tij synonte shpëtimin e Shqipërisë. Dhe njëkohësisht t’i tregonte Evropës se shqiptarët e kishin maturinë e duhur politike për t’u vetëqeverisur. Ai shndrit si lideri më përbashkues në historinë tonë kombëtare.
Ismail Qemali personifikon vlerat më të mira të shpirtit të shqiptarit. Ai ishte një lider vizionar, që e shikonte shërbimin publik si një detyrim ndaj atdheut. Sipas tij, shqiptari të shenjta ka tre gjëra: “Familjen, nderin dhe atdheun.” Ismail Qemali thoshte se: “Perëndia është ndihmësi i njerëzve të drejtë.” Dhe si një njeri i madh, ai ishte i drejtë dhe ëndërrimtar. Ëndrra e tij për një Shqipëri të bashkuar, të begatë dhe evropiane vazhdon të na frymëzoj edhe sot e kësaj dite.
Kritikët pretendojnë se ai nuk qe i zoti që ta mbante gjatë pushtetin dhe nuk arriti të shmangte copëtimin e trojeve shqiptare. Ka diçka pjesërisht të vërtetë këtu, megjithëse vendimi për ndarjen e trojeve shqiptare ishte përtej mundësive të tij. Vizioni i tij që shqiptarët kudo në trojet e tyre etnike të jetojnë në liri, paqe dhe harmoni me fqinjët e tyre po realizohet tashmë.
Vizioni i Ismail Qemalit është quajtur edhe si “tepër perëndimor” për kohën. Dhe Ismail Qemali i ka pranuar vetë i pari të metat e qeverisjes së tij. Por, ai besonte tek fuqia e fjalës dhe tek dialogu midis njerëzve e kombeve, për të garantuar bashkëjetesën paqësore dhe progresin e njerëzimit. Ai besonte fort se integriteti moral e besnikëria e politikanit, ndikon tek raporti i mirë me shoqërinë dhe tek emancipimi i saj.
Shqipëria lindi në një moment tepër të vështirë për marrëdhëniet ndërkombëtare globale. Lufta e Parë Botërore ishte te portat dhe një rend i ri global po dukej në horizont. Rendi i ri global që lindi pas mbarimit të luftës, do të sillte rrëzimin e perandorisë Austro-Hungareze, që ishte përkrahësja kryesore të shtetit të ri shqiptar. Ndoshta nëse situata në arenën ndërkombëtare nuk do të kishte qenë kaq e trazuar, edhe fati i së porsalindurës Shqipëri e i qeverisë së saj të parë do të kishte qenë krejt ndryshe…
Në fund, sigurisht, që ky nuk është një libër me receta të gatshme; ai vjen si një ftesë për reflektim, mbi historinë, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Mesazhi që libri përcjell është universal dhe i vlefshëm në çdo kohë; ai ndërthur raportin midis lirisë, pushtetit dhe lidershipit. Nëpërmjet lidershipit të Ismail Qemalit, ne mund të kuptojmë se si mund të ndërthuret më së miri racionaliteti dhe dhembshuria në zgjidhjen e problemeve të kohës tonë. Lidershipi i Ismail Qemalit përcjell një mesazh të madh humanizimi për botën mbarë.
Lidershipi fillon me besimin që ju mund të bëni diçka që ka vlerë dhe thelbi i tij është ruajtja e ekuilibrit. Me anë të lidershipit mund të lexohet dhe të interpretohet karakteri i njeriut. Cilësitë morale të Ismail Qemalit, bota e tij e brendshme shpirtërore, ishin në harmoni me pamjen e jashtme fisnike. Ismail Qemalin e përshkruajnë si “një njeri sypatrembur dhe të pavarur”. Dy cilësi këto të domosdoshme për lidershipin.
Ismail Qemali si një lider transformues ishte për ndryshimin e statuskuosë. Ai edhe pse i përkiste shtresës së pasur të bejlerëve, u bë zëri i “opingarëve”. Motoja e tij ishte: “Shqipëria për shqiptarët.” Reformat shtetndërtuese që ai filloi të ndërmerrte vinin në kundërshti me interesat e klasës së vjetër sunduese, e cila synonte të ruante sërish privilegjet që kishte pasur në perandori. Prandaj, ata e penguan me çdo mënyrë Qeverinë e Vlorës. Sipas fjalëve të Ismail Qemalit: “Pa u vra tradhëtia, nuk bashkohet Shqipëria.”
Ismail Qemal Vlora është jo vetëm “Themeluesi” i shtetit shqiptar, por edhe “Themeluesi” i idesë së Shqipërisë evropiane. Ai besonte tek ideali i paqes dhe i bashkëpunimit midis kombeve. Ky libër dhe lidershipi i Ismail Qemal Vlorës është në vetvete një himn për shpirtin fisnik dhe të pamposhtur të shqiptarit ndër shekuj. Ismail Qemal Vlora ishte një lider i popullit dhe për popullin; ai nuk e pa kurrë pushtetin si privilegj, por si një detyrim për t’i shërbyer popullit dhe vendit të tij. Ky është edhe thelbi i trashëgimisë së ndritur të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.
Në vargjet e tij, liriku ynë i madh Ali Asllani, shkruan për Ismail Qemalin: “Dielli mbet gjithmonë Diell / Kurdoherë me kokë në qiell.” Ismail Qemali qëndron sot në ballë të Altarit të Kombit dhe të nderosh Ismail Qemalin do të thotë të nderosh gjeninë universale të lidershipit. Ai është “Dielli i Shqiptarisë” dhe drita e tij vezulluese vazhdon të na tregoj edhe sot e gjithë ditën, rrugën që duhet të ndjekim drejt së ardhmes tonë evropiane.
“Bota njerëzore,” – shkruan Plutarku – “kuptohet më mirë nëpërmjet njerëzve që bënë historinë.” Pavarësisht ndryshimeve që sjellin epokat e ndryshme, thelbi i asaj që është “udhëheqja/lidershipi” mbetet e paprekur. Dhe reflektimi mbi figura si kjo e Atit të Kombit, na ndihmon të zgjerojmë dhembshurinë. Ajo na lidh me sakrificat e paraardhësve tanë dhe me shembullin e tyre të ndritur. Mbi këtë bazament mirënjohje ne mund të ndërtojmë shembullin tonë për gjeneratat e ardhshme.
*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”