Ligji i ri për drejtorët në Maqedoni:Mes partisë dhe profesionalizmit

Propozim Ligji i ri për shërbime të lartë udhëheqës apo për emërimin e drejtorëve në institucionet e ndryshme që është në përgatitje e sipër pritet që t’i japë përparësi meritokracisë dhe profesionalizmit karshi shpesh emërimeve partiake siç po theksojnë ekspertët dhe Komisioni Anti Korrupsion. Me fjalë të tjera, ligji i ri synon të zgjidh kandidatët më kompetent që do të realizojnë programin qeveritar. Ligji që do t’i nënshtrohet edhe qasjes publike dhe debatit publik, në radhë të parë ka të bëjë me emërimin e drejtorëve në organet e administratës publike dhe sekretarët nëpër ministri, mirëpo do të zgjerohet edhe për përzgjedhjen e drejtorëve tek sektori publik.

Në Regjistrin unik kombëtar dhe elektronik të ligjeve, ekzekutivi ka arsyetuar miratimin e ligjit të ri me atë se deri tani nuk ekzistojnë rregulla të qarta për emërimin e drejtorëve dhe sekretarëve, si dhe mungon gara e hapur për këto pozita, me çka ato edhe nuk mund të plotësohen nga kuadrot që edhe më shumë i meritojnë ato. Me fjalë tjera, jo vetëm që mungojnë kriteret, por edhe mënyrat që në mënyrë të drejtë të zgjidhen këto persona udhëheqës, në vend të kuadrove partiak. “Në legjislacionin e vendit nuk ekziston një ndarje dhe përkufizim i qartë midis nivelit politik dhe profesional, apo nuk është qartë e definuar përfshirja për pozita të larta udhëheqëse, përcaktimi i linjave të llogaridhënies së udhëheqësve të lartë.

Njëherësh kushtet e përgjithshme për emërimin dhe shkarkimin e këtyre personave janë të rregulluara me ligjet e veçanta materiale, dhe atë më së shpeshti vetëm dispozitat për publikimin e shpalljes publike dhe kushtet e përgjithshme, por jo edhe dispozitat për kriteret, procedurat e seleksionimit dhe përzgjedhja e kandidatëve për pozitat udhëheqëse”, theksohet në arsyetimin qeveritar për nevojën e miratimit të një ligji të tillë. Për më tepër është evidente se mungojnë edhe rregullat e qarta për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve, si dhe gara e hapur për numrin më të madh të këtyre pozitave, me çka çrregullohet edhe parimi i meritave thuhet më tej në arsyetim. Pritet që miratimi i këtij ligji të avancojë shërbimet publike si dhe të përforcojë qeverisjen e mirë si një parim imanent apo që kushtëzohet nga ligjet e brendshme, pavarësisht nga rrethanat, në punën e administratës publike.

Lidhur me sistemin e meritave në administratën publike apo atë se sa ky ligj do të sjellë rezultatet e dëshiruara, eksperti Konstantin Bitrakov rekomandon që Ligji për pozita të larta udhëheqëse të jetë një ligj i përgjithshëm me qëllim që të parashikojë se cilat kushte nevojitet të plotësohen që një person të bëhet udhëheqës i lartë. Nënkuptohet, shton ai, se edhe më tej për drejtorët e organeve të administratës apo ndërmarrjeve do të mundet me ligje të veçanta të parashikohen kritere edhe më rrepta, por jo edhe më të ulëta. Për shembull, kushtet për drejtorin e Organit për zbatimin e sanksioneve do të rregullohen më tej me Ligjin për zbatimin e sanksioneve. Por, me vendosjen e kushteve minimale në Ligjin për pozita të larta udhëheqëse nuk do të jetë e mundur që për emërimin e një drejtori të mos ketë as çfarë kushte formale, apo kushtet të vendosen ashtu që plotësimi i tyre të mos jetë asnjë sfidë dhe mos flet për aftësinë e kandidatit, shton Bitrakov.

Kohë më parë lidhur me sfidat e miratimit të këtij ligji, Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci theksoi se përveçse është përmirësuar struktura e emërimeve apo e shpalljeve, megjithatë mbetet akoma punë me qëllim që të realizohet një sistem i bazuar në kompetenca, kualifikime dhe transparencë, apo një sistem të meritave. “Analizat tona tregojnë se nga gjysma, nga 116 emërtime të monitoruara janë ushtrues detyre, kështu që kjo masë dominuese edhe nuk i ndihmon procesit. Kur emërohet ushtrues detyre kjo sinjalizon se pikërisht ky person ka përparësi dhe kjo edhe po ndodh. Njëherësh në shpalljet kryesisht po paraqiten nga një kandidat, gjysma e kandidatëve nuk posedojnë përvojë në menaxhim, etj”, shton Popoviq.

Nga Komisioni për Antikorrupsion thonë se emërtimet dhe shkarkimet e personave udhëheqës si zakonisht janë të parakohshme dhe shpesh realizohen me rekomandim të qeverisë apo komunave si themeluese të organeve të caktuara. Nga atje shtojnë se praktika e deritanishme tregon se në shpalljen e publikuar për zgjedhjen e drejtorit paraqitet vetëm një kandidat i planifikuar që më parë për atë pozitë. Kjo nënkupton edhe një mënyrë të sprovuar për punësimin e personave të lidhura me partitë politike përkundër profesionalizimit të tyre. Njëherësh me emërimin e ushtruesve të detyrës në vazhdimësi për disa herë nga gjashtë muaj, lihet hapësirë për rrezik të lartë nga ndikimi politik dhe veprimi klientelist i personave të emëruar, shtojnë nga Antikorrupsioni. (koha.mk)