Ndërsa tetori pritet të jap zgjidhjen finale për lëndën e formuar për shqipen nga ana e Kushtetueses, debati politik në vend është rikthyer në dezhavunë e vitit 2018, kur ky ligj me përplasje e muskuj miratohej nga shumica parlamentare e asaj kohe.
Presidenti i atëhershëm Ivanov këmbëngulte se ligji ishte represiv, dhe madje kërcënonte unitaritetin e shtetit.
“Në kushte të bllokadës, ekziston rrezik që të hapet çështja për redifinimin kushtetues dhe rrezikim të unitaritetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë. Në vend të frymës së dialogut dhe bashkëjetesës të ndërtojmë shoqëri multietnike, nëpërmjet ligjeve të drejta dhe të pranuara nga të gjithë, ne miratojmë ligj jo të drejtë dhe represiv, me të cilin favorizohet vetëm gjuha shqipe”, deklaroi Gjorge Ivanov, president (17.01.2018).
Megjithatë, liderët e shumicës, Ahmeti, Zaev, përfshi edhe opozitarët e Selës dhe Gashit mbronin dhe e votuan ligjin në fjalë, duke theksuar se ai është i bazuar në kushtetutë.
“Nuk do të doja, Ivanov ta bëjë gabimin e radhës, të mos e nënshkruajë këtë ligj që është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së (30.01.2018).
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është tërësisht në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe amendamentin 5, të cilat janë miratuar para 17 vitesh. Askush nuk është dhe nuk të jetë mbi Kushtetutën”, u shpreh Zoran Zaev, (15.03.2018).
Kreu i VMRO-së Hristijan Mickoski, partia e të cilit e bllokonte me 35 mijë amendamente, theksonte se ligji nuk kishte bazë juridike. Të njëjtën gjë mbronte në komisione edhe deputetja, sot presidente, Davkova, e cila theksonte se ligji nuk bazohej në kushtetutë, as në preambulë, dhe as në praktikat evropiane.
“Votuan ligj i cili është antikushtetues, i pazbatueshëm dhe i dëmshëm. Marrëveshja mes dy partive LSDM dhe BDI, por nuk është marrëveshje e pranuar dhe miratuar nga qytetarët. Nuk është shkelur vetëm e drejta, hapi i këtillë i miratimit të ligjit antikushtetues është sulm edhe ndaj bashkëjetesës”, tha Hristijan Mickoski, (14.03.2018).
Tensionet rreth kushtetueshmërisë shkuan deri aty sa të mund të mateshin muskujt, mes kryeparlamentarit Xhaferi dhe deputetit Nikolla Gruevski, me mbylljen e mikrofonit dhe hedhjen e ujit.
Në kampin e shumicës ndërkohë, atmosfera ishte më vibrante.
Pavarësisht dezhavusë së para 5 viteve, ende sot ekspertët pranojnë se ligji i tillë nuk kishte harmonizim me kushtetutën apo bazë juridike.
“Ligji për Gjuhën Shqipe, vjen si pasojë apo rezultat i fillimisht, mosrregullimit me Kushtetutë të tij. Mosrregullimin e bazës juridike dhe kjo është ajo që mua më ka dhimbtë dhe e kam përsëritur se vazhdimisht në një moment të caktuar kjo do të hapet si çështje para Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Mersim Maksuti, profesor universitar i të drejtës kushtetuese. /Alsat.mk