Limaj: Serbia po vazhdon me logjikën e Millosheviqit

0

Të pa pranueshme dhe të pa tolerueshme, po i quan deklarimet e serbëve në Kosovë ndaj shqiptarëve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Sipas tij, gjuha dhe mentaliteti i Beogradit, po shtrihet edhe në radhët e kolegëve të komunitetit serb në qeveri. E si shkak i kësaj, kryeministri Ramush Haradinaj së fundi e shkarkoi ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq.

Ky i fundit kishte thënë se shqiptarët i kanë sajuar krimet kundër tyre në Kosovë. E, shkarkimin e tij nuk po e sheh të mjaftueshëm Limaj.

Limaj: Është i pamjaftueshëm shkarkimi i ministrit serb

“Këtë gjuhë dhe këtë mentalitet ne nuk mund ta pranojmë, fatkeqësisht në Beograd po shtrihet edhe të disa serbë, te disa kolegë. Po, disa kolegë tanë të komunitetit serb, të cilët shikojnë nga Beogradi dhe ata pothuajse e kanë pasur të njëjtën sjellje ish-presidenti i Serbisë. Siç e dini, kryeministri e ka shkarkuar ministrin, por ne mendojmë se kjo është e pamjaftueshme, duhet të sanksionohet me ligj. Askush dhe askujt nuk mund t’i lejohet mohimi, historisë dhe të kaluarës. Mohimi i masakrës është për të vrarë për herë të dytë viktimën dhe familjen e viktimës. Dhe unë pres që Kuvendi i Kosovës, Qeveria veç e ka marrë iniciativën shumë shpejt projektligji të del para Qeverisë dhe pastaj në Parlament, dhe kështu të jetë me ligj dhe të jetë e dënueshme çfarëdo mohimi, ashtu siç bënë bota e qytetëruar”, tha ai.

Limaj thotë se në vendet perëndimore, raste të tilla si ato të Teodosijeviq sanksionohen me ligj.

Limaj: Në perëndim glorifikimi i kriminelëve sanksionohet me ligj

“Unë besoj që si çdo vend tjetër perëndimor, ata e kanë të sanksionuar me ligj, në vendet me demokraci të avancuar kanë sanksionuar me ligj, të gjithë ata që mohojnë krimet, glorifikojnë kriminelët, kanë përgjegjësi dhe janë të sanksionuara me ligj. Ne vazhdimisht gjatë këtyre 20 vjetëve, por në kohën e fundit e kemi parë të shpeshtuar deklarimet, sidomos në Serbi, ka vazhduar pastaj edhe në Kosovë fatkeqësisht që të mohojnë krimet, masakrat dhe gjenocidin të cilin Serbia e ka ushtruar në Kosovë, dhe kjo është e papranueshme dhe e pa tolerueshme”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, gjatë intervistës 45/45 për KosovaPress, mes tjerash ka deklaruar se Beogradi është duke vazhduar me logjikën e Millosheviqit.

Limaj: Serbia nuk kërkon falje për krime dhe i mohon ato

“Ne, gjithashtu, kemi kërkuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion dhe të deklarohet rreth qëndrimit të presidentit të Serbisë. Jo më larg, se në përvjetorin e masakrës së Reçakut, presidenti i Serbisë ka mbajtur një konferencë shtypi, duke mohuar krimin, apo masakrën në Reçak. Për më tepër, ai thotë se ky konspiracion mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, dhe fatkeqësisht Beogradi vazhdon të jetë me logjikën e Millosheviqit, jo vetëm që nuk është e gatshme të kërkoj falje, por edhe… përkundrazi edhe e mohon”, tha Limaj.

I pyetur, se a janë duke dalë në punë ministrat e Listës Serbe, ai ka pohuar se të njëjtit janë duke e bojkotuar punën në Kuvend dhe Qeveri, derisa dorëheqjen e kryetarëve serbë të komunave në veri dhe pjesëmarrjen e tyre prapë në zgjedhje tregon qartë se për një pjesë të serbëve në Kosovë vendos Beogradi.