Pëlqimet për hapjen dhe punësimeve në çerdhet në Çair, Haraçinë dhe Likovë janë nënshkruar, siguron ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani. Pohon se kjo procedurë është kryer tash e dy muaj, por nuk e di pse ato nuk po hapen.
Ju d.m.th. tani i fajësoni komunat se nuk funksionojnë, apo?
“Jo nuk fajësoj asnjë njeri, unë procedurën e kam përshkruar, i kam nënshkruar edhe pëlqimet, u janë ofruar atyre. Arsyet se pse nuk hapen çerdhet, është çështje me të cilën edhe për të cilën duhet të japin shpjegim ata”, tha Fatmir Limani – ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
TV21 kontaktoi me kryetarët e komunave. Ai i Çairit, Visar Ganiu na tha se problemi i fundit ka qenë kyçja në ujësjellës, që sipas tij është vonuar sepse pasi janë dashur pëlqime nga ndërmarrja e “Ujësjellësit” në kuadër të Qytetit të Shkupit. Veç kësaj, Ganiu shton se objekti duhet të pajiset me invertar.
“Ministria në fjalë është dashur ta bëj shpalljen për furnizimet publike gjegjësisht për të zgjedhur operatorin për të cilin do ta realizon inventarin për çerdhen e re. Këtu ne e kemi mbaruar me kyçjen dhe ujësjellësin ndërsa nga ana e ministrisë duhet normal të vjen invertari dhe të pajiset kjo çerdhe e re me invertar të ri edhe kuptohet pastaj të dakordohemi me ministrinë në fjalë për ta bërë edhe hapjen oficiale të kësaj çerdheje”, u shpreh Visar Ganiu – kryetar i Komunës së Çairit.
Kryetari i Haraçinës Ridvan Ibrahimi na tha se çerdhja e re atje pritet të hapet gjatë muajit mars, pasi sipas tij, pëlqimet për punësime por edhe për hapjen, kanë ardhur më 14 shkurt.
“Procedurat tani ne i llogarisim si të mbaruar, por e mbaruar më 14 shkurt të vitit 2025. Zyrtarisht na kanë arritur më 14 shkurt 2025. Ne konkursin që e shpallëm, të gjithë ato persona që janë me dokumentacion në rregull do të marrin vendim, këto tjerat ekzistojnë që ose të përsëriten ose të bëhet një zgjidhje që sa më shpejtë ne të startojmë, kuadri që është paraqitur t’i sistemojmë dhe të startojmë me çerdhen”, deklaroi Ridvan Ibrahimi – kryetar i Komunës së Haraçinës.
Përmes telefonit u përpoqëm ta pyesim edhe kryetarin e komunës së Likovës, Erkan Arifi, por nuk u përgjigj.