Lirohen nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulmin ndaj të moshuarës në Pejë

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur t’ua ndërpresë paraburgimin tri infermiereve të arrestuara në lidhje me sulmin fizik ndaj një të moshuareje, në një shtëpi kujdesi në Pejë, në fillim të këtij muaji.

Në vendimin e Supremes të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se të pandehurave u ndërpritet paraburgimi dhe lirohen për t’u mbrojtur në liri.

“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e Supremes për vendimin thuhet se nuk ka arsye për të besuar se të pandehurat do të asgjësojnë, fshehin apo ndryshojnë provat e veprës penale dhe se nuk qëndron fakti se të pandehura do të mund të ndikojnë tek e dëmtuara apo dëshmitarët, sepse provat, gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës.

Në shtëpinë e pëlqeve në Pejë “Orenda”, që është privatizuar së fundi, është ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuare nga një anëtare e stafit.

Në një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale shihet se si punonjësja sulmon të moshuarën, teksa ngjarja xhirohet nga të tjerat. Dëgjohen edhe të qeshura.

Ngjarja është bërë publike më 2 nëntor, teksa mësohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.