Lirohet nga paraburgimi Fjolla Morina, Gjykata hedh poshtë kërkesën për ekstradim

Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina, është liruar sot (e mërkurë) nga paraburgimi në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, e ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për ekstradim në Shqipëri, dhe kështu i është ndërprerë masa e paraburgimit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i këngëtares, Fanol Krasniqi, përmes një bisede telefonike.

“Po, është e vërtetë, Fjolla Morina është liruar sot nga paraburgimi, pasi Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ekstradim dhe të njëjtës i është ndërprerë masa e paraburgimit”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Foto: Fjolla Morina/Instagram

Fjolla Morina përndryshe i ishte shqiptuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh pas arrestimit në Prishtinë më 19 korrik të këtij viti.

Ajo u arrestua pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli, për shkak se ajo ishte e dënuar në Shqipëri për kalimin e kufirit shtetëror me armëmbajtje pa leje.

Mbi të rëndonte akuza “trafikim i armëve dhe municionit” dhe dosja e saj u shqyrtua në Gjykatën e Kukësit shtatorin e vitit të kaluar.