Lironi shqiptarët e mij nga burgjet, i pari do ia jap votën një partie maqedone

0

Urim Salihu
Nuk dua as luks, as privilegje, asgjë. Në këmbim nuk dua asgjë përveç një të vetme, kaq njerëzore dhe kaq dinjitoze: Lirinë e shqiptarëve të mij.Do pranoj të jetoj në varfëri por një gjëje duhet dhënë fund: Mos eksperimentoni më me fatet shqiptare sepse vitet ikin dhe nëse doni drejtësi mos mbani protesta para qeverisë por praktikojeni atë.As ne dhe as ata,si askush tjetër nuk ka dy jetë për të jetuar. Lëreni të dalin dhe të mbushen me jetë,të kthehen atje ku i presin të shtrenjtit e tyre. Kanë bërë aq shumë për lirinë dhe duhet t’a ndjejnë atë. Ata janë viktima të një drejtësie të kalbur që ka zënë rrënjë, që nuk çlirohet nga mendësia e së shkuarës. Ka plotë njerëz të veshur me kostume të pastra por me urdhëra të pista që shumë njerëz i kanë dërguar drejt humnerës.

Janë të njëjtit njerëz që presin fatet tona,luajnë me to dhe i shndërrojnë njerëzit si Jozefi te Procesi i Kafkës. Të dënuar që kurrë nuk e dijnë përse janë të tillë. Të gjitha dëshmitë e botës sikur ti kenë me vete,përsëri çdo gjë është kundër tyre dhe dyert e burgut akoma më shumë mbyllen me dry. Akoma më shumë ato labirinthe bëhen të errëta për t’a.Kjo duhet të merr fund.

Po e ngre zërin si një qytetar ,si një prind dhe si një shqiptar. Nuk kam në dorë asgjë por dua të shprehë solidarizimin me ata të dënuar nga njerëz që drejtësinë në këtë vend e kanë varrosur. Ne jemi një shoqëri e zhurmshme e rrjeteve sociale. Aty shprehim patriotizmin fallso dhe më pas heshtim. Njerëzit tanë më të mirë vuajnë dënime kapitale me procese të montuara,që nuk përfundojnë kurrë.E vërteta fle diku.Kaq vite po ikin dhe sa vlejnë solidarizimet tona në rrjete sociale kur ata vazhdojnë të vuajnë dënimet e pamerituara.Vazhdojnë familjet e tyre të presin zemërvrarë të shtrenjtit e tyre që ose nuk lirohen kurrë,ose vdesin nëpër burgje ose dalin të sëmurë nga ato vende të frikshme. Të gjithë ishin në qeveri BDI, ASH, PDSH, Alternativa e RDK. Asnjëra nuk dëgjoi zërin e të burgosurve shqiptarë që nuk dihet më nëse janë në burgje apo kampe përqendrimi. Ata prapë do jenë qoftë pushtet ose opozitë pas 12 Prillit dhe prapë vitet e torturës për shqiptarët do vazhdojnë nëpër burgje. Duan të shfrytëzojnë për vota edhe këto raste të trishta njerëzish që duke mos mundur të besojnë nëse do jenë të lirë një ditë, prapë varrin shpresat nëse politika shqiptare do bëj diçka dhe përgjigja është pesimiste. Ata janë shumë keq dhe janë si ai vargu i famshëm: paqë nuk gjej dhe forcë nuk kam për luftë.

Unë kurrë nuk kam votuar dhe nuk do t’a bëj me asnjë çmim tjetër që të mbështes një parti maqedone.Por për hir të atyre njerëzve që treten në ato vende të frikshme prapa grilave, të të burgosurve shqiptarë pa përjashtim në Maqedoni edhe atyre që ndodhen në paraburgim prej vitesh ,pra në këmbim të lirimit të tyre nëse e duan drejtësinë e vërtetë, do t’a votoja një parti maqedone.Do t’a bëja në këmbim të lirisë së tyre. Lironi shqiptarët tanë ,unë i pari do ia jap votën një partie maqedone që e garanton këtë dhe do luftojë deri në fund që kjo të ndodhë . Partitë shqiptare nuk kanë forcë t’i lirojnë ata .Kjo ka marrë fund moti. P.S. Gjykatat nuk janë të pavarura